Ish ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho ka reaguar sot pas ceremonisë së 100 vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Sipas tij kryeministri Rama u përpoq sot të monopolizonte këtë ditë dhe mbajti një fjalim jo bashkues.
“Sot ne po festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve me SHBA-në, vendin e madh të lirisë, simbolin e demokracisë në botë. SHBA është besim, është frymë, është frymëzim dhe është e tillë për të gjithë shqiptarët. Kjo ditë e madhe nuk i përket politikës por popullit, i përket Shqipërisë dhe jo atyre që kujtojnë se përfaqësojnë ata. Fjala e Kryeministrit Rama në ceremoninë e sotme ishte një fjalë ndarëse dhe jo bashkuese, përpjekje për të monopolizuar këto marrëdhënie, për të ndarë popullin në këtë ditë të madhe. Ai provokoi popullin Shqiptar në këtë datë të madhe për të avancuar argumentin e tij anti-kombëtar me nacionalistin pro-Putin, Aleksander Vucic. Ai do të ishte i pranueshëm kur të tërhiqte akuzën ndaj SHBA-së dhe NATO-s në Gjykatën e Hagës, të pranonte Republikën e Kosovës dhe ti bashkohej Perëndimit”, tha Nesho.
Zv.kryetari i komitetit organizativ të Partisë së Lirisë u shporeh se marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen kur të realizohet doktrina e Presidentit Biden për largimin e autokratëve.
“Si qytetar amerikan dhe si pjesëtar i Partisë së Lirisë unë e refuzoj këtë qëndrim. Unë mendoj që këto marrëdhënie jetësore për Shqipërinë do të forcohen, kur do të arrihet realizimi i doktrinës së Presidentit Biden për rikthim të demokracisë, largimin e autokratëve, këtyre abuzuesve të vullnetit të popullit dhe pasurisë së tij”.