Saga e transferimit të Robert Levandovskit nga Bajerni te Barcelona do të vijojë edhe për pak. Në një kohë kur sulmuesi polak vazhdon të shijojë pushimet e tij, në aksin Mynih-Barcelona vazhdon të luhet një lojë e fortë. Për pikën ku kanë arritur, asnjëra nga palët nuk ka ndër mend të tërhiqet. Në Mynih ndoshta e kanë të qartë se Leva është i ikur, por vazhdojnë të luajnë fort për t’i marrë sa më shumë miliona Barcelonës.
Nga krahu tjetër, Barcelona është e dëshpëruar për t’u dhuruar tifozëve të saj një emër të rëndësishëm dhe Leva pa diskutim që plotëson të gjitha kriteret. Në “Camp Nou” e dinë fare mirë se Leva është i tyri, por po fitojnë kohë për të zgjidhur problemet financiare.
Mediat spanjolle kanë bërë me dije se katalanasit e kanë mbyllur marrëveshjen me sulmuesin e kombëtares polake dhe të Bajernit. Sipas informacioneve më të fundit të mediave iberike, Barça do të derdhë plot 50 milionë euro në llogarinë e Bajernit, nga të cilat 40 milionë në dorë dhe 10 milionë të tjera në formë bonusesh. Presidenti i Barçës, Joan Laporta, i ka premtuar Ksavit se do t’i vërë në dispozicion Levandovskin, por po pret momentin e duhur.
HËNES – Nga ana tjetër Bajerni vazhdon të ngacmojë dhe të luajë si macja me miun me Barçën. Të gjithë drejtuesit e Bajernit kanë folur për këtë çështje, secili në këndvështrimin e tij. Për këtë temë ka folur dhe ish-numri një i bavarezëve, Uli Hënes. Ai ka trembur jo pak Barçën me qëndrimin e tij më të fundit për “sport1.de”. Sipas Hënesit, Bajerni po planifikon sezonin e ardhshëm me Levandovskin në përbërje.
Ai ka saktësuar se me afrimin e Sadio Manesë, bavarezët do të ktheheshin në një makineri jo vetëm në Bundesligë, por edhe në Europë. “Në Mynih po punojnë shumë seriozisht për skuadrën e sezonit të ardhshëm. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve dhe planeve të hartuara, në sezonin e ri do të shohim një Bajern shumë tërheqës me Levandovskin”, ka thënë Hënes.
Arena e Lajmit
Loading…