“Milani konkurrues në Europë”, Serzhinjo rrëfen kujtimet: Teo si unë, do të bëhet më i forti në botë

Serzhinjo është një ndër ikonat e krahut të majtë të Milanit, një faktor i padiskutueshëm në triumfet e Milanit të Ançelotit.

27ac4750671ddd3de944bca183241391-69544-2949380efa673bd8c4523694a3f5f4dd

Sot në moshën 50-vjeçare, braziliani ka rrëfyer jo vetëm episodet më të veçanta të tij me këtë fanellë, por ka treguar edhe këndvështrimin e tij për Milanin aktual, duke zbuluar edhe atë që ai mendon se mund të jetë pasardhësi i tij.

E mbani mend transferimin tuaj te Milani?

Ishte 1999 dhe unë luaja me San Paolon, por më pas mora vesh për interesimin e Ariedo Braidës që më kishte parë në një ndeshje në Brazil. Si fëmijë isha tifoz i kuqezinjve, pasi shikoja ndeshjet e Van Bastenit, Gulitit, Rajkardit e Maldinit.

Në 2003-shin fituat Champions-in kundër Juventusit me penallti.

Çfarë momenti! Champions League ishte fiksimi i Berluskonit dhe Galianit dhe përgjegjësia për të goditur në një finale është shumë e madhe. Akoma më kujtohet rruga drejt pikës së bardhë ku të kalon nëpër kokë puna që skuadra ka bërë dhe tifozët që presin fitoren. Unë e kisha përgatitur veten për atë moment dhe fatmirësisht shënova.

Një ndeshje speciale ishte edhe derbi i fituar 6-0 apo jo?

Askush nuk e besonte se Milani, i cili ishte në një moment delikat, mund të fitonte një derbi 6-0, që do të mbetet në histori. Kanë kaluar më shumë se 20 vite dhe ende flitet për këtë. Të fitosh derbin është një kënaqësi e madhe, ndaj imagjino ta fitosh 6-0.

Çfarë ndjesie keni për Milanin kampion Italie?

Në fillim të vitit askush nuk e besonte dhe imagjinonte që Milani mund të fitonte titullin. Pas 11 vitesh isha shumë i lumtur që pashë se Milani u kthye në krye. Një ekip kaq i rëndësishëm nuk mund të qëndrojë gjatë pa fituar. E jona është një ADN fituese.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për Milanin vitin e ardhshëm?

Champions-i është një kompeticion në të cilin Milani është fokusuar gjithmonë. Gjithsesi, duhet ende të shohim se çfarë do të bëjë pronësia e re, nëse janë thjeshtë një fond biznesi apo duan të krijojnë një Milan fitues. Shpresoj të jetë kjo e dyta dhe Milani të kthehet protagonist edhe në Europë, siç i takon.

Cili ka qenë lojtari më i fortë me të cilin keni luajtur?

Është e vështirë pasi si shokët dhe kundërshtarët kanë qenë ndër më të fortët në botë, por Ronaldo “Fenomeni” vjen nga një tjetër planet.

A ka ndonjë nga lojtarët aktualë që ju kujton veten?

Më pëlqen Teo Hernandez, më ngjan pak mua. Ai është agresiv, i pëlqen të godasë, të krijojë. Ndonjëherë e gjithë kjo e bën të lejojë ndonjë hapësirë më shumë në mbrojtje, por është normale pasi është ende i ri dhe do të gjejë ekuilibrin që i mungon. Besoj se shumë shpejt do të jetë ai mbrojtësi më i fortë në botë.

Kush ishte më i forti mes Kakasë, Sedorfit dhe Pirlos?

Pyetje shumë e keqe. Janë tre lojtarë me karakteristika të ndryshme. Kaka është një fenomen, Sedorf spektakolar, Andrea gjithashtu. Por nëse do më duhet të zgjedh një po them atë që ka fituar “Topin e Artë”, pra Kakanë, edhe pse është brazilian dhe është miku im. Pastaj kemi Sedorfin që ka fituar 4 Champions, Andrea ka fituar Botërorin, është e vështirë të zgjedhësh mes tyre, janë fenomenë dhe të padiskutueshëm.

Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit


Loading…

“Milani konkurrues në Europë”, Serzhinjo rrëfen kujtimet: Teo si unë, do të bëhet më i forti në botë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook