Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, shprehet se skema e inceneratorëve është një piramidë korrupsioni, në majë të së cilës qëndron kryeministri Edi Rama.
Në një reagim të bërë së fundmi në rrjetin e saj social Facebook, ka reaguar sërish për faktet e reja të bëra publike një ditë më parë nga PL, duke thënë se lënia e pronave publike si garanci për kreditë që përfitojnë bandat si ajo e inceneratorëve, është filozofia e Ramës.
Reagimi i plotë:
Copëzat që bashkohen çdo ditë po rindërtojnë mozaikun e një skeme të mirëfilltë kriminale, të vënë në zbatim me bekimin e kryeministrit.
Pas përfshirjes në të të pensionistëve në azile, të gjallë e të vdekur, të pastrehë e barinj që mezi sigurojnë bukën e gojës, kjo skemë mafioze përpiu edhe 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD. Grantet e pakthyeshme që Bashkimi Europian i jep qeverisë shqiptare si mbështetje për rritjen e kapaciteteve në bujqësi kanë përfunduar në xhepat e atyre që janë në kërkim.
Pronat publike janë lënë peng në banka si kolateral për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Nga 8 kredi të marra në 2021, shqiptarëve u kanë mbetur të paguajnë nga xhepi edhe 16 milionë dollarë.
Kjo është filozofia qeverisëse e Edi Ramës: pronat publike vihen si garanci për kreditë që përfitojnë bandat si ajo e inceneratorëve.
Të humburit janë në çdo rast shqiptarët që varfërohen çdo ditë sepse vidhen çdo ditë nga qeveria e inceneratorëve.