Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur me tone të forta nga hapja e kampit të të rinjve të kësaj force në Jalë. Meta tha se më 25 korrik kemi hyrë në një luftë pa kthim kundër tradhtarëve.
Duke përsëritur thirrjen për punonjësit e administratës të mos firmosin akte të paligjshme, ai theksoi se radhën për në burg e ka kryeministri Edi Rama.
Ai deklaroi se qeveria e drogës është duke ikur, qeveria e rinisë dhe e Shqipërisë do të vijë shumë shpejt.
“Revolucioni antikorrupsion është i pandalshëm dhe ju ftoj çdo ditë t’i bashkoheni fushatës së denoncimeve kudo që jeni. Ndërgjegjësim, përshkallëzim dhe fitore e padiskutueshme. Shqipëria në javët që vjen ndahet njëherë e përgjithmonë me rrugën e gënjeshtrave, me rrugën e pabesisë ndaj interesit kombëtar dhe armiqësisë ndaj interesit publik, ndahet përgjithmonë me kohën e eliminimit të llogaridhënies. Llogaridhënia ka nisur, po troket dhe të të gjithë do të përpiqen para ligjit dhe ndaj i kam ftuar njerëzit në administratë publike të jenë të kujdesshëm, të mos përdoren në ditët dhe javët e fundit të kësaj qeveri gangsterësh të mos firmosin akte të paligjshme. Boll bedela ka futur në burg Rama, tani e ka radhën vetë. Partia e Lirisë është partia e rinisë.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Por Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
…Nga lufta veç ai largohet që është lindur tradhëtor.
Ne kemi hyrë më 25 korrik në një luftë pa kthim kundër tradhtarëve. Le të fillojmë pas këtij kampi të mrekullueshëm në të gjitha sheshet e Shqipërisë. Qeveria e drogës është duke ikur, qeveria e rinisë dhe e Shqipërisë do të vijë shumë shpejt”, deklaroi Meta.