Pagesat nga buxheti për koncesionet rriten në 2023, inceneratori i Tiranës do marrë 34 mln euro për 3 vjet

Ppp

Projektbuxheti i vitit 2023 parashikon gati 14 miliardë lekë (120 milionë euro) pagesa për koncesionet/PPP aktive me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Në krahasim me një vit më parë, kjo shumë është rritur me 4%.

Pagesat për koncesionet pritet të rriten më 12% në 2024-n, duke arritur në rekordin e 15 miliardë lekëve. Pavarësisht rritjes, pagesat për koncesionet pritet të respektojnë rregullin fiskal, sipas të cilit përqindja e pagesave të PBB-ve ndaj totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës buxhetor të mos jenë më shumë se 5%. Në periudhën afatmesme, këto pagesa nuk pritet të jenë më të larta se 3% e të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm.

Ne 2022-n mbaruan tre kontrata, ajo e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit (të dyja nën hetim nga SPAK) dhe rimbursimi i rrugëve për ndërtimin e HEC-it mbi lumin Devoll.

Ndërkohë, inceneratori i Tiranës do të vijojë të marrë pagesa nga buxheti, prej 1.27 miliardë lekë në 2023 dhe 1.36 miliardë lekë në 2023 dhe 2024, gjithsej gati 4 miliardë lekë (34 milionë euro) për periudhën 2023-2025.

Ndërtimi dhe operimi i rrugës së Arbrit merr dhe pjesën më të madhe të pagesave në 2023-n, me 3 miliardë lekë, ose 22% të totalit.

Koncesionet e shëndetësisë marrin në total 5.2 miliardë lekë, ose gati 40% të totalit në 2023-n. Numri i tyre ka arritur në 4, pas fillimit nga puna të atij të laboratorëve. Sterilizimi parashikohet të paguhet me 1.75 miliardë lekë, ose 13% të totalit; laboratorët me 1.7 miliardë lekë (13% të totalit) dhe check up dhe dializa me përkatësisht 876 dhe 875 milionë lekë.

Skanimi në dogana merr çdo vit nga buxheti i shtetit gati 1.7 miliardë lekë.

Për koncesionet e tjera, pagesat janë më pak se 1 miliardë lekë (shiko grafikun: Financimi nga buxheti i kontratave PPP në 2023).

Gjatë vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vijuar monitorimin e performancës së kontratave koncesionare/PPP-ve me mbështetje buxhetore, duke monitoruar ecurinë e pagesave faktike buxhetore dhe treguesit e performancës të planifikuar/realizuar për secilën kontratë koncesionare/PPP. Monitorimi dhe raportimi mbi kontratat konçesionare/PPP është institucionalizuar përmes përfshirjes në udhëzimin plotësues nr.1, datë 10.01.2022 “Për zbatimin e buxhetit të vitit 2022”, të skedulit të detyrueshëm kohor të raportimit të tyre nga çdo Autoritet Kontraktor dhe të formateve standarde respektive, me qëllim thellimin e analizës dhe rritjen e transparencës. Ky monitorim është kryer në bazë të rregullt mujore.

Megjithatë, rezultatet e këtyre monitorimeve nuk janë bërë ende publike, teksa disa nga këto koncesione si inceneratorët e Fierit e Elbasanit, sterilizimi dhe check up janë nën hetim nga struktura e posaçme e hetimeve, SPAK./Monitor/

Pagesat nga buxheti për koncesionet rriten në 2023, inceneratori i Tiranës do marrë 34 mln euro për 3 vjet

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook