EKSKLUZIVE/ “Gati për gjëra të mëdha”, Orges Shehi: Do të jetë çmenduri nëse ne mendojmë që…

Orges Shehi është i bindur që Tirana e tij mund të shijojë një verë të madhe nëse mund Dudelanzhin. Në një intervistë për “Panorama Sport” pas ardhjes në Tiranë, Shehi foli për gjithçka, duke filluar nga stërvitja e deri te lojtarët që mungojnë.

SHEHI

Thotë se koha për merkato, të paktën për sfidën e parë, është shumë e paktë, ndërsa shpreson që skuadra të shkëlqejë në fushë. Pranon se cikli është vazhdimësia e fitoreve, ndërsa pohon se edhe Tirana mund ta përsërisë atë që bëri skuadra korçare.

Zoti Shehi, si kanë qenë këto dy javë në fazën përgatitore që zhvillohet në Turqi?

Kemi mbyllur dy javë në Turqi. Më saktë, janë 13 ditë. Shto këtu edhe shtatë ditët e para që ishim në Shqipëri, ne nuk kemi bërë pothuajse asnjë ditë pushim. Jemi të kënaqur me atë që skuadra ka marrë gjithë këto javë.

Kjo është në funksion të faktit të ardhjes sa më shpejt të skuadrës në formë për ndeshjen e 6 korrikut dhe për këtë arsye ne vendosëm që të bëjmë shumë miqësore me ditë të ngjeshura. Ne ngarkesën do ta merrnim me këtë lloj forme, por edhe duke pasur parasysh që ne kemi dy-tre elementë të rinj që duhet të futen me grupin dhe të komportohen sa më mirë në skuadër.

Keni luajtur katër ndeshje miqësore në këtë fazë. Çfarë ka parë Orges Shehi në këto ndeshje?

Unë mendoj që faza përgatitore jashtë vendit të vlen. Në fillim për shkak të ndeshjeve miqësore që ti zhvillon edhe me kundërshtarë të niveleve të larta. Kjo, sepse nga ana psikologjike është shumë e rëndësishme dhe në fazën përgatitore rezultati del në plan të dytë, ama kur përballesh me skuadra të tilla, edhe ti fiton më shumë dhe kjo është një plus për të gjithë skuadrën. Mendoj se kemi marrë atë që donim. Gjatë kësaj periudhe kërkonim që të plotësonim organikën, sepse nuk ia arritëm që të gjenim lojtarët e duhur.

A mund të plotësoheni me këtë organikë që ju kërkoni për sezonin e ri futbollistik dhe për Europën?

Unë them se për Champions-in dhe sidomos për ndeshjen e parë është pak e vështirë. Janë shumë pak ditë në dispozicion. Problemi kryesor është që sado lojtarë me cilësi të gjejmë, ata nuk janë në aktivitet dhe do të jenë shumë pas me përgatitje. Do t’u duhet kohë që të arrijnë ritmin e stërvitjes dhe të lojës.

Shehi Osmani Vangjeli

Në këtë situatë me lojtarët që kemi ne do të përballojmë ndeshjen e parë të Champions-it. Nëse arrijmë që të gjejmë lojtarë të gatshëm dhe ata që ne duam, atëherë do të shohim se si do të ndryshojmë në fushën e lojës.

Sa i vështirë është si kundërshtar Dudelanzhi dhe a mund të kalohet nga ju turi i parë?

Unë mendoj që do të jetë gabim i rëndë nëse nënvlerësojmë kundërshtarin. Ne luajmë në Champions dhe në këtë kompeticion nuk ka skuadra të lehta. Luajmë me një ekip që vitet e fundit ka bërë mirë. Ka shkuar dy herë në Europa League. Skuadër që renditet në vazon e parë.

Ne jemi në vazon e dytë dhe do të jetë çmenduri nëse ne mendojmë se jemi favoritë përballë këtij kundërshtari. Për ata që e shohin futbollin përciptazi, emri nuk do të thotë gjë, ama është kundërshtar që kërkon vlerësim maksimal dhe kërkon respekt.

Jeni gati për këtë verë të ngjeshur futbollistike?

Patjetër. Ne kërkojmë në këtë verë europiane që të bëjmë gjëra të mëdha. Kjo verë është komplet ndryshe nga ajo e sezonit të shkuar. Faza vjet ishte e gjatë, me shumë ndeshje. Ne duam të shkojmë sa më larg dhe të zgjasë sa më shumë. Është ndjesi e madhe që të shkosh e të kualifikohesh në një kompeticion kaq të madh.

Mendoni se është viti që nis cikli i madh, duke e krahasuar me Skënderbeun?

Unë mendoj se cikli është një vazhdimësi e madhe. Duke ruajtur skuadrën dhe duke i plotësuar me lojtarë ata që mungojnë. Po ta krahasoj me Skënderbeun, them se ajo skuadër u kualifikua pas pesë vitesh në grupet e Europa League-s. Nuk u kualifikua që në fillim. U rrit vit pas viti. Dhe vitin e tretë e të katërt kaloi ture e shkoi në “play off”-e të Europa League-s. E përsëris, cikli është vazhdimësia. Unë them që do të tentojmë sa herë të na dalin përpara. Do të luftojmë në fushë për çdo mundësi. Më pas gjërat do t’ia lëmë kohës…

Shehi

Ëndrra juaj e verës bëhet e gjatë edhe në rastin më të thjeshtë nëse kaloni vetëm një tur në Champions?

Prandaj e thashë edhe më parë. Kjo verë e gjatë përkthehet në kënaqësi, në të ardhura financiare, në bonus individual që nga unë deri te lojtarët. Në fund janë mundësitë e mira.

Gjithçka shkon në perfeksion dhe mundësitë arrihen më shpejt. Shpresoj shumë, por përqendrimi duhet të jetë te Dudelanzhi, sepse është ndeshje që vlen. Përqendrimi duhet të jetë, por jo me se s’bën… siç e them, duhet të futemi e të shijojmë ndeshjen, të vlerësojmë detajet, sepse janë shumë të rëndësishme.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit


Loading…

EKSKLUZIVE/ “Gati për gjëra të mëdha”, Orges Shehi: Do të jetë çmenduri nëse ne mendojmë që…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook