“Leva është i shkëlqyer, por pak… i vjetër”, Klajvert vë në pikëpyetje sulmuesin polak

Patrik Klajver, aktualisht ambasador i ligës spanjolle dhe ish-drejtor i Barcelonës, është kthyer të flasë për realitetin në ish-klubin e tij.

Klajvert

Ai ka qenë i ftuar në emisionin “El Larguero” në “Cadena SER”, ku mes të tjerash ka përmendur edhe sulmuesin Robert Levandovski, duke ngritur disa pikëpyetje në adresë të polakut të Bajernit.

Si një ish-funksionar i Barcelonës, si e keni parë klubin sezonin e kaluar?

Unë nuk jam shkëputur nga klubi. Djali im luan me mosha dhe në përgjithësi jam në kontakt me zhvillimet në klub. Ai është i kënaqur në Barcelonë. Sa për mua nuk ishte faji im që u largova. Unë ika pas ardhjes së Laportës. Ajo që më bën habi dhe sot është se nuk m’u dha asnjë shpjegim, diçka jo e zakonshme për këtë klub.

Si e shihni Barcelonën?

Janë në një gjendje disi të ndërlikuar, por nëse do të arrijnë të bëjnë afrime të rëndësishme në verë do të jenë mes pretendentëve për titullin në Spanjë.

Çfarë mendoni për afrimin e mundshëm të Levandovskit?

Levandovski është një lojtar i shkëlqyer, me karakteristika të jashtëzakonshme, por mos harroni se është 34 vjeç. Natyrisht që ai duhet admiruar për cilësitë që ka dhe që e bëjnë një lojtar të madh. Ai duket qartë se dëshiron të luajë për Barcelonën, por do të jetë e vështirë përballë Bajernit.

A mendoni se Barcelona ka nevojë për një yll?

Te Barça e kanë të qartë se një lojtar kalibri, një yll siç themi ndryshe, është gjithnjë i mirëpritur. Por mos e bëni situatën dramatike, Barça ka lojtarë të shkëlqyer në përbërje, Depai, Obamejang… Konkurrenca në sulm është mjaft e lartë.

Kush është lideri? Ksavi?

Natyrisht që Ksavi është një ndër liderët, sepse është pozicioni që ia imponon. Por në klub janë dhe figura të rëndësishme si Buskets, Pike…

Të flasim për të rinjtë, duket se e ardhmja është e sigurt me lojtarë si Gavi, Fati, Pedri…

Janë njëri më i mirë se tjetri, i njoh shumë mirë. Ata janë rritur në këtë klub, i njohin vlerat e Barçës. Për fat të keq Ansu Fati ka pasur disa probleme me dëmtimet. Pedri nuk është rritur te Barça, por është në një nivel tjetër.

A mendoni se De Jong do të qëndrojë?

Unë shpresoj që ta mbajnë, por nëse do ta shesin, klubi do të arkëtojë shumë para. Unë di të them se Frenki nuk është një lojtar dosido. Unë nuk do ta shisja për asnjë arsye.

Çështja “Dembele”…

Ai është një lojtar i madh, por nëse ai vërtet dëshiron të qëndrojë, kjo çështje duhet zgjidhur sa më parë, nuk mund të humbet kohë. Nëse ai vërtetë dëshiron të qëndrojë, duhet të bëjë dhe lëshime, pasi situata ekonomike e klubit është ajo që e dimë të gjithë. Kjo histori ka zgjatur shumë.

A është Ksavi ideali për Barçën?

Unë mendoj që po, por duhet t’i japim pak kohë. Ai ka ardhur në një nga momentet më të vështira të klubit dhe ka bërë një punë të shkëlqyer.

Pike?

Po kalon një moment të vështirë në planin personal, por ai është një lider dhe pjesë e rëndësishme e skuadrës. Do të luftojë për të treguar se është ende i vlefshëm në ekip.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit


Loading…

“Leva është i shkëlqyer, por pak… i vjetër”, Klajvert vë në pikëpyetje sulmuesin polak

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook