Kaluan 311 ditë mes largimit të Romelu Lukakut në drejtim të Çelsit dhe më pas rikthimit të tij në huazim në Milano, por për belgun dhe për ambientin zikaltër duket sikur asgjë s’ka ndryshuar dhe koha është ndalur. Këtë ndjesi përcollën sulmuesi dhe presidenti Stiven Zhang që e kanë konsideruar belgun si “Bosi i madh”, fjalë që përmbledhin ajrin e protagonizmit që po thith belgu në Milano prej tri ditësh.
Premtimi për shumë gola dhe deklarata të cilat tregojnë lidhjen e tij të ngushtë me shokët e skuadrës dhe trajnerin Simone Inzagi kanë qenë fjalët e para për 29- vjeçarin që e di mirë se tani duhet të fitojë zemrën e tifozëve zikaltër, shumica prej të cilëve nuk e kanë harruar dhe nuk e kanë falur transferimin e tij në Londër dhe mënyrën si u prezantua.
“Çelsi është ëndrra ime”, shprehej Romelu, diçka që nuk u prit mirë pas deklaratave të dashurisë për dy vite radhazi për Interin. Në dijeni të të gjithë situatës, Lukaku ka qenë edhe ditën e djeshme ai që ka pushtuar kanalet e klubit me anë të një tjetër komunikate, që u drejtohej direkt mbështetësve të skuadrës. “Përshëndes të gjithë interistët dhe dua t’u rikujtoj që jam shumë i lumtur që ndodhem këtu.
Dua të fitojmë më shumë se më parë dhe do të punoj vërtet fort për ta realizuar këtë. Forca Inter”, ka qenë mesazhi i sulmuesit, që për të konfirmuar gjithë angazhimin e tij i është drejtuar menjëherë stërvitjes në palestrën në ambientet e qendrës stërvitore.
Lukaku do të kthehet përsëri me pushime, për t’iu bashkuar grumbullimit në datën 10 korrik, por deri atëherë numri 90 i zikaltërve është dedikuar t’u provojë të gjithë tifozëve se klubi nuk ka gabuar në rikthimin e tij. E vetmja gjë që duhet të bëjë për këtë është të mbajë premtimin e tij, sepse fundja ai e di rrugën për të mbërritur në zemrën e tifozëve: golat.
Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit
Loading…