Zyrtarizimi i dyshes Maldini-Masara, për Milanin vijnë miliona nga India

Dje klubi zyrtarizoi rinovimet me afat 2-vjeçar të kontratave me Paolo Maldinin dhe Frederik Masarën. Ata do të ruajnë rolet e tyre të zakonshme, por ndërkohë lajme të tjera pozitive vijnë përtej oqeanit. Vivek Ieshvant Ranadivé është emri i ri për Milanin.

milan-scaled

Nuk është mbrojtës e as mesfushor sulmues që kërkohet në merkato, por manjati indian që është gati të investojë në klubin kuqezi bashkë me “RedBird”. Bisedimet me Xheri Kardinalen, i cili ka qenë në javët e fundit në SHBA për të kërkuar investitorë, tashmë kanë filluar dhe 65-vjeçari shpreson të arrijë së shpejti një marrëveshje. Ranadive njihet në botën e sportit si pronar i Sakramento Kings, një kolos i NBA-së, dhe gjithashtu dëshiron të hyjë në futboll siç dëshmohet nga oferta e fundit për të blerë Çelsin.

RRITJA – Shifrat janë sekrete, por dihet se “RedBird” po kërkon, me një mbledhje fondesh, një pjesë të 1.2 miliardë eurove që do t’i paguhet “Elliott”-it në kohën e mbylljes së akordit për blerjen e Milanit me afat deri në shtator 2022. Kështu që Ranadive do të ishte gati të shkonte në ndihmë të Kardinales.

Për këtë qëllim do të shërbejë edhe ringjallja e modelit Sakramento Kings, një ekipi të blerë në 2013-ën për 534 milionë dollarë dhe i çuar, sipas “Sportico”, në një vlerësim aktual prej 2.06 miliardë dollarësh. Një rezultat i shkëlqyer nga aspekti financiar, më pak nga ai sportiv, ku nuk arritën rezultatet e pritura. Në vitin 2010 Ranadive ishte gjithashtu bashkëpronar i Golden State Warriors përpara se të detyrohej të shiste aksionet e tij për të blerë pikërisht Kings-at.

KARRIERA – Manjati amerikano-indian i njohur nga të gjithë për kreativitetin dhe idetë e tij novatore, u largua në moshë të re nga India me vetëm pesëdhjetë dollarë në xhep. Ai studioi në Kembrixh, Masaçusets, dhe bëri pasurinë e tij në botën e teknologjisë, fillimisht me “Teknekron” dhe më pas me themelimin e “TIBCO” në vitin 1997, një kompani e specializuar në prodhimin e softuerëve për fushat e integrimit.

Vitet e fundit e ka zhvendosur biznesin e tij në botën e sportit dhe tani, pas përpjekjeve të pasuksesshme me Çelsin, i ka vënë syrin Milanit. Së bashku me djalin e tij Anel, ai foli me Kardinalen për të studiuar hyrjen e tij në operacionin e blerjes së Milanit. Para të freskëta, një ndihmë e rëndësishme për “RedBird” për të përfunduar marrëveshjen me fondin “Elliott”. Nga NBA në Serinë A, Ranadive është gati për sfidën e tij të re.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI  – Arena e Lajmit


Loading…

Zyrtarizimi i dyshes Maldini-Masara, për Milanin vijnë miliona nga India

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook