“Për Ançelotin do të shkonim në luftë”, Modriç me rrëfim special: Eliminuam kampionët dhe na thonë se kishim… fat?

Mesfushori i Realit të Madridit, Luka Modriç, ka dhënë një intervistë për gazetën kroate “Sportke Novosti”, ku i ka bërë një rezyme sezonit të kaluar. Ai ka folur, ndër të tjera, edhe për të ardhmen e tij, si dhe befasinë e verës me refuzimin që Mbape i bëri Realit të Madridit.

modric

E ARDHMJA – “Për sa kohë që ndihem mirë dhe trajnerët më duan në skuadër, unë do të vazhdoj të luaj”.

SEZONI MË I MIRË? – “Është e vështirë ta gjykosh, pasi në karrierën time në Madrid kam pasur edhe sezone të tjera të shkëlqyera falë Zotit. Po marr për shembull sezonin 2017-2018. Edhe pse duhet thënë se sezoni që u mbyll, ka qenë shumë i mirë si në aspektin e lojës, ashtu dhe në trofetë e fituar. Reali e dominoi kampionatin, pastaj emocionet në Ligën e Kampioneve ishin të papërshkrueshme. Edhe në kombëtaren kroate, gjithçka shkoi mirë me kualifikimin për në Botëror”.

CHAMPIONS-I I PESTË – “Të gjithë trofetë e fituar në Europë kanë qenë të veçantë. Por do të veçoja pikërisht këtë që lamë pas, për vetë mënyrën se si arritëm të fitonim. Por Champions-i im i parë (La Decima/E dhjeta) në vitin 2014 ishte i papërsëritshëm”.

FESTA NDAJ PSG-SË – “Ishte gjithçka spontane për shkak edhe të vetë atmosferës dhe rrethanave që i paraprinë asaj fitoreje. Mendoj se ai ishte një sukses kyç. Para ndeshjes në Paris kishte shumë skepticizëm rreth nesh nëse e kishim potencialin për të kapërcyer atë që quhej një mega-ekip, me yje të mbledhur në një për të fituar Ligën e Kampioneve. Kur ata na mposhtën plotësisht në Paris, situata për ne ishte edhe më e rëndë”.

MËDYSHJET PAS PARISIT – “Kur gjërat nuk funksionojnë, nuk shkojnë si duhet, është normale që të ngrihen edhe pikëpyetje. Por po ju them diçka. Në momentin kur unë dhe Karvahal u zëvendësuam, ishim së bashku në stol kur i thashë se do t’i përmbysim në ‘Bernabeu’. Kemi folur gjatë mes nesh pas humbjes në Paris dhe kur mbërriti ndeshja e kthimit, i pashë shokët e skuadrës të bindur në përmbysjen e madhe, Kur jemi të emocionuar, me energji pozitive, të përqendruar dhe me ndihmën e tifozëve nuk ka skuadër në botë që na ndal”.

KUNDËR PSG-SË NË MADRID – “Ne jemi Reali dhe kur futemi në ritmin tonë, mund të përmbysim këdo. Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme, një nga më të pabesueshmet për mua. E them këtë se kam përjetuar shumë në Madrid, por si kjo…”.

REFUZIMI I MBAPESË – “Mbape mori atë vendim që mori. Ishte në të drejtën e tij të vendoste dhe kaq. Të gjithë menduam se do të vinte në Madrid, por nuk e kuptuam përse gjithçka ndryshoi në fund. Gjithsesi, pavarësisht asaj çfarë ndodhi, ne nuk duhet ta kryqëzojmë atë. Mbape është një lojtar i madh, por siç e kam thënë, asnjë lojtar nuk është më i madh se klubi. Reali është mbi të gjithë, mbi çdo lojtar dhe kështu do të jetë gjithnjë”.

ANÇELOTI – “Ajo që të tërheq tek ai është mënyra krejtësisht unike se si ai komunikon me lojtarët, si i trajton ata. Ai është gjithnjë pozitiv, i respektueshëm, korrekt dhe mirëdashës, saqë nuk ka mundësi që ndonjë lojtar të abuzojë me qasjen e tij. Ka autoritet, ka njohuri të shkëlqyera dhe i aftë të marrë më të mirën nga çdo lojtar. Të gjithë do të shkonin në luftë me atë, qofshin ata që luajnë, qofshin rezervat dhe ata që qëndrojnë në tribunë”.

BENZEMA – “Benzema është Benzema, një nga më të mirët me të cilët kam luajtur ndonjëherë. Sigurisht që ai e meriton ‘Topin e Artë’ sepse ky sezon ka qenë i mrekullueshëm për të! Mendoj se e meritonte ta fitonte më parë këtë trofe individual. Me punë i ka heshtur të gjithë kritikët e tij”.

FATI NË CHAMPIONS – “Eliminon kampionët e Francës e të vijnë kampionët e Europës. Eliminon kampionët e Europës e të vijnë kamionët e Anglisë. Eliminon Sitin e të vjen Liverpuli dhe tani të gjithë flasin për fat? Kjo nuk është e drejtë. Megjithatë do të isha i lumtur nëse ajo histori do të përsëritej sërish!”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLL – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

“Për Ançelotin do të shkonim në luftë”, Modriç me rrëfim special: Eliminuam kampionët dhe na thonë se kishim… fat?

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook