Bajerni i Mynihut nisi zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa 16 lojtarët e parë (vetëm 9 nga skuadra e parë) u vendosën nën urdhrat e trajnerit Julian Nagelsman për të përgatitur misionin e titullit të 11-të radhazi kampion. Nagelsman pati për herë të parë nën urdhrat e tij mesfushorin holandez Rajan Gravenbersh, i cili komentoi seancën e tij të parë stërvitore në “Säbener Straße”.
“Është bukur të jesh këtu dhe ishte një seancë e bukur stërvitore”, deklaroi ish-talenti i Ajaksit. “Pushimet ishin më të gjata sesa zakonisht dhe jemi të gjithë të lumtur që u rikthyem në fushë”, komentoi tekniku Nagelsman. Dy blerjet e tjera të bavarezëve, Sadio Mane dhe Nuser Mazraui, mungonin me grupin, ashtu si shumë lojtarë të tjerë që kanë luajtur me kombëtaret, përfshirë kapitenin Manuel Nojer dhe Tomas Mylerin. Yjet e tjerë të Nagelsmanit do t’i bashkohen skuadrës në ditët në vijim, me afatin e fundit datën 12 korrik, kur është përcaktuar edhe data kur Robert Levandovski duhet të prezantohet në grumbullim.
PASIGURITË
Sulmuesi polak, i cili kërkon një largim te Barcelona, ka ngjallur dyshime nëse do të paraqitet në grumbullim me klubin në këtë ditë. Përveç tij, nuk përjashtohet një largim edhe i Serzh Gnabrisë, i cili i ka ngrirë bisedimet e rinovimit me klubin dhe kontrata i skadon verën e ardhshme.
Për Bajernin, e hëna ishte stërvitja e parë pasi lojtarët iu nënshtruan testeve mjekësore dhe fizike ditën e shtunë. Pasi të rigjejë formën, skuadra do të niset në turneun e SHBA-së 18-24 korrik, ku do të luajë edhe një miqësore kundër Mançester Sitit. Në 30 korrik është finalja e Superkupës së Gjermanisë kundër Lajpcigut. Kampionët e Gjermanisë që dominojnë Bundesligën në 10 vitet e fundit do ta nisin mbrojtjen e titullit më 5 gusht, ndaj fituesve të Ligës së Europës, Frankfurtit.
ANDROKLI DRALO-Arena e Lajmit
Loading…
Loading…