Aventura europiane për Tiranën do të fillojë nesër. Bardheblutë do të përballen në takimin e parë për Champions me Duderlanzhin në transfertë. Por me fanellën e kampionëve të Shqipërisë, kundër një ekipi nga Luksemburgu ka qenë në fushë edhe Entonio Pashaj. Mbrojtësi që pseudonimin e kishte “Nesta” flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
“Kemi luajtur në Luksemburgun para 8-9 vitesh, ishim me Rubion, fituam 2-0 atje, por tani ekipet e këtij vendi kanë investuar shumë. Tirana ka 2-3 vite që mban era klub, sepse kur isha unë, jo Bashkia, jo presidenti, jo ndahu, jo pajtohu”, thotë fillimisht Pashaj. Ai komenton gjithashtu si e sheh aktualisht skuadrën e Tiranës, duke e krahasuar edhe me vitet kur ka qenë pjesë e ekipit.
Entonio si jeni, vazhdoni të jetoni jashtë?
Po, vazhdoj të jetoj në Belgjikë.
Me se po merreni aktualisht, vazhdoni të luani?
Jo, me futbollin e luajtur e mbylla sivjet. Vazhdoja të luaja në kategori amatore, dhe tani jam trajner i Shpresave U-21 të ekipit që luaja, në kategorinë e tretë.
Ju jeni larguar nga vendi, e keni menduar që këtu mund të kishit një të ardhme më të mirë në futboll, duke qenë se keni një karrierë të gjatë dhe keni luajtur në ekipe me emër?
Me thënë të drejtën, nuk është se e kam menduar shumë. U bënë gati 5 vite që jam larguar dhe nuk e kam menduar. Kam qenë më i fokusuar si të ndërtoj jetën këtu.
E keni ndjekur sezonin e fundit në Superiore dhe si u është dukur?
Po patjetër, i kam parë ndeshjet gati çdo javë. Superiorja më është dukur në përgjithësi mirë, edhe pse ka pasur oshilacionet e veta. Në fund të fundit, ka fituar ekipi më i fortë. Tirana ishte skuadra më solide dhe me lojën më bindëse.
Në krahasim me vitet që ju keni luajtur te Tirana, si ju duket tani?
Tirana e tanishme është më e fortë. Ka një strukturë të ngritur më të mirë nga ana e klubit. Vitet që kam qenë unë, klubi ka qenë gjatë gjithë kohës, fatkeqësisht në tranzicion, jo Bashkia, jo presidenti, jo katër presidentë, jo ndahu, jo pajtohu. Kurse tani u bënë 2-3 vite që po mban era klub. Duket që është i mirëpërgatitur dhe po synon që të vazhdojë të funksionojë tamam si një klub. Dhe ky është ndryshimi. Lojtarë të mirë kemi qenë edhe atëherë, të talentuar, që po t’i marrësh me emra, treçereku ka kaluar në ekipet kombëtare, por që ai tranzicioni që sa të kalonte te një president i vetëm, ka bërë që klubi të mos ketë pasur qetësi asnjëherë.
Çfarë ju mungon më tepër nga Shqipëria?
Nuk diskutohet që shoqëria, ndeshjet, ekipi. Si vendi yt nuk ka, por kjo është jeta dhe njeriu mundohet të përshtatet.
Si një ish-mbrojtës, aktualisht si e shihni prapavijën e Tiranës?
Si repart ka qenë shumë i konsoliduar. Shpresoj që largimin e Hoxhallarit ta zëvendësojnë, sepse ishte një pikë kyçe te Tirana, si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në atë organizativ, sepse ishte një sallaks që organizonte shumë mirë lojën që nga poshtë. Nuk ishte thjesht një mbrojtës që thyente aksionet, por edhe një organizator i mirë. Shpresoj që në vendin e tij të marrin një lojtar të denjë, sepse do të ndihet mungesa e tij.
Kur ju ishit në fushë, me kë sulmues keni hasur më shumë vështirësi?
Ka pasur shumë. Që te Cikalleshi, Pejiç, Balaj, Daniel Xhafaj, Bakaj po ashtu. Çuditërisht, në vitet e fundit nuk po dalin më nga ata sulmuesit që shënonin 20-25 gola në vit. Pastaj është edhe çështje menaxhimi, por edhe fat.
Po sulmuesit tani?
Seferi ka bërë një kampionat të shkëlqyer, krahas golave, ka edhe një kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e golave apo aksioneve dhe rasteve. Me gjithë Xhixhën, kanë pasur shumë kombinime të bukura. Por prapë mungojnë pak ata sulmuesit e racës, ose ata 10-çat, trekuartistët që filtronin topat shumë mirë.
Tirana ka Europën përpara dhe nesër do të përballet me Dudelanzhin. A është gati ky ekip për të tentuar diçka më shumë këtë vit?
Shpresoj që të vazhdojnë të bëjnë ndonjë goditje në merkato. Më sa kam dëgjuar prononcimet e trajnerit Shehi, ka thënë që lojtarët e rinj nuk janë plotësisht gati. Europa kërkon një kontingjent të gjerë lojtarësh, përveç titullarëve, do edhe pankinë shumë të fortë. Janë dy ndeshje finale, plus unë i kam këtu afër ekipet e Luksemburgut dhe mund të them që kanë investuar shumë. Duderlanzh është një ekip që para 2-3 vitesh ka hyrë në grupe. Por asnjë gjë nuk është e pamundur. Unë për fat kam eksperiencën që jemi ndeshur para nja 8-9 vitesh me një ekip të Luksemburgut, Grevenmaker dhe kaluam turin. Kemi qenë me Rubion. Fituam 2-0 atje dhe në Tiranë 0-0 mesa mbaj mend.
Do të shkoni ta shikoni në stadium?
Vështirë, sepse nesër do të vij në Shqipëri me pushime. Po të isha këtu, patjetër që do shkoja ta shihja. Shpresoj që ta kalojnë këtë tur, sepse po ia arritën, kanë bërë një hap shumë të madh për në Europë, sepse po u eliminuan turin tjetër, kanë Ligën e Europës dhe Ligën e Konferencës dhe kanë shumë benefite, sidomos për futbollin shqiptar, benefitet e Europës për një klub janë shumë domethënëse, sepse ka shumë shpenzime të mëdha, që nuk i mbulon dot.
KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…