Edvan Bakaj mendon se Dinamo ka nevojë për merkato dhe sidomos për lojtarë me eksperiencë. E pranon që gara do të jetë e ashpër, por nuk e diskuton ngjitjen. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” portieri mendon se me Nevil Deden në krye të pankinës, misioni do të bëhet më i thjeshtë.
Dinamo e sezonit të ri nis nga Bakaj. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Kjo më bën të kuptoj që është vlerësuar puna ime gjatë këtyre dy viteve te Dinamo. Jo vetëm ajo që kam dhënë në fushë, por edhe eksperienca ime në dhomat e zhveshjes.
Sipas jush, pse nuk mundi Dinamo të qëndronte në elitë?
Kjo është një pyetje pak e vështirë, por mendoj se kanë ndikuar shumë faktorë. Në fund, që të gjithë jemi fajtorë.
Si një lojtar me përvojë, mund të evidentoni momentet që ndikuan te rrëshqitja e skuadrës drejt fundit?
E thashë edhe me lart që ishin një sërë faktorësh që ndikuan në rrëshqitjen e ekipit. Një arsye ishte dhe që ne nuk patëm forcë si ekip për të reaguar, edhe pse mundësitë ishin deri 3-4 javë nga fundi.
Klubi ka vendosur të mbajë 80 për qind të grupit. Si ju duket kjo strategji?
Drejtuesit kanë bërë gjënë e duhur, por mendoj se duhen akoma edhe disa lojtarë të tjerë me eksperiencë. Kategoria e Parë këtë vit do të jetë shumë e fortë dhe do të ketë një rivalitet të egër.
Një vlerësim për rivalitetin në Kategorinë e Parë, me emra si Flamurtari apo Skënderbeu?
Me Flamurtarin, Skënderbeun, pa harruar Apoloninë, Lushnjën, Tomorin, Korabin apo Besëlidhjen, do të jetë kampionat i vështirë. Janë ekipe me traditë në futbollin shqiptarë.
A do të ngjitet Dinamo?
Me gjithë respektin për të gjithë emrat që përmenda, objektivi ynë është i qartë: vendi i parë dhe ngjitja direkt në Superiore. Për këtë do të punojmë shumë. Me mbështetjen e presidentit Ardian Bardhi dhe ortakut të tij Kristjan Gjidodaj, ky vit do të kalojë sa më shpejt dhe ne do të kthehemi aty ku na takon.
Në stol tashmë do të jetë Nevil Dede…
Me ardhjen e profesor Nevilit, një trajner me përvojë, mendoj se do jetë akoma më e lehtë arritja e objektivit.
Në fund, a keni diçka për t’u thënë tifozëve?
Tifozëve u kërkojmë falje, por dhe u themi që do të bëjmë maksimumin për ta ringritur Dinamon në Superiore.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…