Shqipëria mbylli pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare me 4 medalje të fituara: dy ari, me atleten Luiza Gega dhe mundësin Zelimkhan Abakarov, një argjendi me peshëngritësin Erkand Qerimaj dhe një bronzi me mundësin Islam Dudaev.
Por në Algjeri delegacioni kuqezi është përballur me jo pak probleme, duke filluar që nga vonesa disaorëshe në aeroport apo mungesa e pishinës për t’u stërvitur notarët tanë, me KOKSH-in që nuk kishte bërë rezervim, ndërsa ishte Kosova ajo që ua zgjidhin hallin kuqezinjve, duke u vënë në dispozicion pishinën e saj, problem të cilin “Panorama Sport” e denoncoi disa ditë më parë. Por problematikat e Shqipërisë në Oran nuk mbarojnë me kaq, pasi si të mos mjaftonin arbitrimet skandaloze, një tjetër shqetësim shumë i madh për sportistët tanë në Oran ka qenë çështja e ushqimit.
Një ushqim jo cilësor dhe aspak i freskët, që madje ka sjellë edhe helmime të sportistëve tanë, duke u shkarkuar të vjella dhe probleme serioze para garave. Kjo ka bërë që sportistët të shmangnin disa prej ushqimeve, por kjo strategji sigurisht që i ka penalizuar ata në marrjen e kalorive të mjaftueshme që i nevojiten një profesionisti. Gjithashtu, shumë shqetësuese për delegacionin tonë ka qenë edhe mungesa e informacionit për garat, pasi organizatorët nuk azhurnonin të dhënat në sistem, ndërsa sportistët deri pak orë para garave nuk e dinin se cilët kundërshtarë do të kishin përballë në konkurrim. Një rast për t’u veçuar ishte edhe “incidenti” me qitësen Kristina Anxhara, e cila u pickua nga bleta para garës në disiplinën 10 metra pushkë me ajër.
Ndërsa në fund, i rikthehemi edhe një herë një problematike të ngritur nga shumë shtete në Oran, siç ishte çështja e arbitrimeve. Shqipëria u përfshi fillimisht në polemikat e gjykimit me boksierin Alban Beqiri, i cili vendosi të tërhiqej nga dueli çerekfinal në raundin e tretë, në sfidën me kundërshtarin algjerian, për shkak se gjyqtaria po mbante hapur në favor të rivalit. Ndërsa më pas gjithçka kulmoi me incidentin me peshëngritësin Erkand Qerimaj, të cilit fillimisht i konsideruan të pavlefshme një provë që nuk kishte asnjë vend në dyshim, vendim që do t’i hiqte edhe medaljen, por u deshën protestat e forta nga vetë shtangisti dhe nga ekipi kuqezi që arbitrat të bënin prapakthehu dhe ta ndryshonin atë vendim të turpshëm. Gjithsesi, sjellja tendencioze e gjyqtarisë i shkaktoi humbjen e mundësisë për të garuar në shtytje shkodranit, pasi në të tilla kushte, ishte e pamundur për të për të vazhduar. Kështu, Shqipëria mbyll garat në një event me probleme të shumta, ndërsa vetë protagonistët pranojnë se këto Lojëra Mesdhetare kanë qenë nga më të dobëtat në aspektin organizativ.
ARTIN LLESHAJ – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…