“Refuzova dy oferta për Teutën”, Uheid Hoxha: Bëra zgjedhjen e duhur, durrsakët si trampolinë

Skuadra e Teutës vijon merkaton, ku prior itet ka të rindërtojë nga e para repartin e mesfushës pas largimeve të fillimit të qershorit. Klubi mendon të “rinojë” ekipin me lojtarë të perspektivës.

Hoxha

Bregdetarët kanë nënshkruar me Uheid Hoxhën, futbollist i cili në sezonin e fundit luajti me Vllazninë. Mesfushori vjen për të dhënë maksimumin dhe natyrisht të paraqitet sa më mirë. Pas zyrtarizimit, vetë lojtari u shpreh i lumtur për arritjen e marrëveshjes, teksa falënderon Teutën për mundësinë e dhënë për të treguar vlerat e tij në Kategorinë Superiore.

Uheid, si po shkojnë ditët e para tek ekipi i ri?

T’ju them të drejtën, nuk e mendoja se ekipi do të më priste kaq mirë, si lojtarët, si stafi më kanë bërë një pritje të ngrohtë.

Çfarë te bindi të firmosje me Teutën?

Këtu te Teuta janë dhe dy shkodranë të tjerë që i kam shokë (Hebaj dhe Gruda). Kam folur me ta dhe më kanë folur mirë për ekipin, edhe profesor Martini ka impaktin e tij, që unë u binda të firmos te durrsakët. Ambicia që ka ky klub, që kërkon të jetë më lart në renditje dhe të luajë në Europë. Gjithashtu është një ekip që u jep mundësi djemve të rinj të tregojnë potencialin e tyre.

Si e vlerësoni zgjedhjen për të luajtur në Durrës?

Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur të luaj për Teutën. Është një mundësi e mirë, pasi tani jam pjesë e një skuadre që beson te të rinjtë dhe jam shumë i lumtur.

Keni pasur oferta të tjera gjatë kësaj periudhe?

Kam pasur dy oferta nga Superliga dhe nga Kosova, por Teuta është ekipi që mendova se do ta kem si trampolinë.

Çfarë synoni të arrini me skuadrën tuaj të re?

Synimet janë të jap maksimumin, duke zbatuar me përpikëri detyrat e trajnerit dhe stafit drejtues dhe të japim me të mirën dhe të arrijmë objektivat e klubit.

Cili është objektivi personal që i keni vënë vetes?

Objektiv personal është që të bëj një sezon sa më të mirë dhe t’u shpërblej besimin drejtuesve të Teutës. Mendoj që me ndihmën e Zotit do t’ia arrij.

Mendoni se do të përshtateni shpejt duke parë dhe ambientin…?

Ambienti që kam gjetur këtu, siç e thashë, është shumë i mirë, pasi të gjithë shokët e skuadrës po më afrojnë. Ambientimi me skuadrën nuk do jetë i vështirë, duke qenë se çunat po tregohen të mirë dhe besoj do t’i kem afër si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së blertë.

ZAMIR QYPI – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

“Refuzova dy oferta për Teutën”, Uheid Hoxha: Bëra zgjedhjen e duhur, durrsakët si trampolinë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook