Nevil Dede është zyrtarisht trajneri i ri i Dinamos.
Lajmi ishte bërë i ditur prej kohësh nga “Panorama Sport” dhe ishte konfirmuar edhe nga presidenti i skuadrës, Adrian Bardhi, por vetëm dje ka marrë formë zyrtare.
Ish-lojtari i Kombëtares, Tiranës dhe Elbasanit është prezantuar dje nga presidenti Adrian Bardhi si “timonieri” i bluve për sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.
Dede e merr drejtimin e Dinamos pas eksperiencës tek Erzeni, ndërkohë që më parë ka drejtuar edhe Tiranën, Laçin, Luftëtarin dhe Kastriotin. Ai ka drejtuar gjithashtu edhe Kombëtaren U-19 të Shqipërisë.
NJOFTIMI I KLUBIT – Ishte një zyrtarizim ndryshe këtë herë nga klubi blu, pa praninë e medias. Një njoftim në faqen zyrtare dhe fotot e rastit mes presidentit Bardhi dhe trajnerit Dede.
“Dinamo njofton nënshkrimin e kontratës me trajnerin Nevil Dede. Tekniku 47-vjeçar do të drejtojë projektin dinamovit drejt rikthimit në elitën e futbollit.
Gjatë ditës së sotme (djeshme), presidenti i Dinamos, z. Adrian Bardhi dhe trajneri Dede kanë nënshkruar kontratën, që e bën teknikun pjesë të klubit blu për sezonin e ri.
Ish-mbrojtësi i Kombëtares vjen te Dinamo pas një sezoni të suksesshëm, ku drejtoi Erzenin drejt rikthimit historik në Superiore”, shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit blu.
Nevil Dede merr vendin e lënë bosh nga italiani Rodolfo Vanoli, i cili e drejtoi Dinamon në pjesën e fundit të sezonit që shkoi, pas Bledi Shkëmbit dhe Bledar Devollit.
RIKTHIMI I LOGOS – Përveç trajnerit të ri, klubi kryeqytetas ka zyrtarizuar dje edhe rikthimin e logos së vjetër, logos historike të Dinamos. Gati një vit më parë, kur blutë u rikthyen në elitën e futbollit shqiptar pas shumë vitesh, pjesë e ndryshimeve që ndodhën ishte edhe logoja.
Sezonin e fundit Dinamo pati një logo të re, por ky vendim nuk u prit mirë dhe u kritikua gjatë gjithë kohës nga tifozët dinamovitë dhe jo vetëm. Presidenti Bardhi kishte pohuar më parë për gazetën se do të rikthente logon e vjetër dhe nga dje, kjo lëvizje është bërë zyrtare.
Elton Kodra- Përveç emrit të trajnerit Nevid Dede, i vetmi pjesëtar tjetër i stafit të Dinamos që është zgjedhur deri tani, është ai i Elton Kodrës. Ai do të jetë përgatitësi atletik i bluve, ndërsa ndihmëstrajneri dhe përgatitësi i portierëve ende nuk janë përcaktuar. Janë role, për të cilat do të vendoset brenda këtyre ditëve, me shumë mundësi deri të hënën, kur ekipi fillon stërvitjen.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…