Në një reagim në Facebook, kreu i PD në Durrës, Igli Cara bën me dije mbrëmjen e sotme në Muzeun Arkeologjik në Durrës do të prezantohet plani i menaxhimit të zonave arkeologjike A dhe B.
Ai gjithashtu thekson se në listën e të ftuarve mungojnë grupet e interesit, ndërsa shton se shoqëria civile, opozita dhe media është përjashtuar nga ky aktivitet.
Reagimi:
Mbrëmjen e sotme në ambientet e Muzeut Arkeologjik Durrës do të prezantohet plani i menaxhimit të zonave arkeologjike A dhe B të qytetit.
Çuditërisht në listën e të ftuarve mungojnë grupet e interesit. Banorët e zonës, ata që preken drejtpërdrejtë nga zbatimi i këtij projekti, ngrenë supet përballë këtij fakti, duke u shprehur se nuk kanë dijeni për këtë takim.
Në të njëjtën kohë është përjashtuar nga ky aktivitet i organizuar deri në detaje, shoqëria civile, opozita dhe media.
Në këto kushte natyrshëm lind pyetja:
– Çfarë nuk duhet të dinë banorët e Durrësit, për fatin e qytetit të tyre, që ky prezantim kaq i rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e tij po zhvillohet në fshehtësi të plotë?!
Për më tepër, dhjetë minutat e planifikuara për pyetjet dhe përgjigjet përshkruajnë me saktësi “suksesin” e këtij takimi, që ka si qëllim një vizion të ri për menaxhimin e aseteve arkeologjike të Durrësit.
Në fund të fundit, për këtë qeveri, çudia më e madhe, tri ditë zgjat!
Arena e Lajmit