Ish-deputeti tregon bisedat në orët e vona në Kuvend: Seanca maratonë me Dritëro Agollin dhe ligjvënësin e PD që i ofroi gotën me verë

Kuvend 92

Nga Mitro Çela

BALLISTË DHE KOMUNISTË NË PARLAMENT

Dritëro Agolli nuk e piu verën-

13 tetor 2017.

Ishte ditëlindja e Dritëro Agollit.

U mblodhën në Muzeun Kombëtar miq, shokë, fansa. Këngë. Valle. Recitime. Kujtime.

Foli edhe Gramoz Ruçi:

– Viti 1992. Dritëroi ishte deputet.

Mes miqve që pinte verë, ishte edhe një deputet demokrat. Kur bëheshim thumb, nuk i dalloje socialistin nga demokrati.

Nuk po më kujtohet emri i deputetit, por ishte zgjedhur në Librazhd.

Një natë, – vazhdoi tregimin Gramozi, – Parlamenti valonte. Deputetët nuk po e ndanin dot ditën kur u çlirua Shqipëria, më 28 apo 29 Nëntor.

Deputeti demokrat i Librazhdit mori dy gota verë. Një për vete, tjetrën për poetin. Dritëroi hynte e dilte në sallë. Turfullonte.

“Ta mora gotën e verës. Pi!”

“Gota më duket e mbushur përgjysmë me ballistë. Nuk e pi,” – tha poeti.

“Edhe imja ishte e mbushur përgjysmë me komunistë. E piva!…” – tha deputeti demokrat i Librazhdit.

Më pëlqeu tregimi i Gramoz Ruçit. Nisa të  gërmoj. Kush ishte deputeti demokrat? Pa vuajtur shumë, falë internetit, e gjeta: Kurt Xhepa. Në ato vite isha edhe unë deputet. Rrinim bashkë. Pinim treshe: Kurti, Teodor Keko dhe unë. Ai verë, ne fërnet. Një herë e pyeta: “Kurt! Pse më dukesh si gjerman?” “Gjysmë gjerman jam. Babai im, Qazim Xhepa, shkollën e mesme dhe të lartën e bëri në Vjenë. Atje u dashurua dhe u martua me Hidegard Hochleitner. Mbaroi shkollën. Punoi një vit në Gjermani. Në vitin 1934 u kthyen në Shqipëri. Nisi punë në Centralin Elektrik në Durrës. Pastaj në Tiranë. Në vitin 1939 më gatuan mua. Pastaj bënë një vajzë, Brigitën. U bë muzikante. Në vitin 1943 u zgjodh deputet në Asamblenë Kushtetuese.” “Ta pimë me fund,” – tha Dori, që po e shijonte historinë. Kurti vazhdoi: “Erdhi në pushtet Enveri. Babai ishte me njollë. Në fillim e lanë të qetë. Kërkonin sebep. Dhe u doli në shteg bomba në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik, në vitin 1951. E arrestuan. Një vit në hapsanë. i morën shtëpinë dhe katandinë. Pas një viti doli i pafajshëm, por e mori ferra uratën. Babanë e vuri poshtë mania e presekutimit”.

Epilogu

Kurt Xhepa u bë inxhinier. E emëruan në Pishkash, miniera e hekur-nikelit. Deputet i PD – së 1992-1996… Vdiq në vitin 2007…

Ish-deputeti tregon bisedat në orët e vona në Kuvend: Seanca maratonë me Dritëro Agollin dhe ligjvënësin e PD që i ofroi gotën me verë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook