“Jemi bërë si një klub fshati”, fjalimi ndryshe i Flutura Açkës: Rreshtohen këtu ministra që hapin gojën, kruajnë mjekrën dhe zgjohen kur vjen Rama

Acka

Deputetja demokrate, Flutura Açka ka kritikuar sot në Kuvend mënyrën se si po zhvillohen seancat plenare.

Ajo tha se Parlamenti i Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me atë Europian, ku ministrat shajnë opozitën dhe qeshin, kur kryeministri ofendon deputetët e pakicës.

Fjala e Açkës
Në seancën e shkuar vërejta se mjaft kolegë u përpoqën t’i bënin një tërthorje vitit që kemi ndarë bashkë në këtë “ngrehinë fajtore”, ku ndonjëherë vetja më është dukur vetëm orendi, për një arsye të thjeshtë: kam qenë pjesëmarrëse, qoftë edhe pasive, në faj.

“Europa” është fjala më e shpeshtë që përdorim këtu, dhe për fat po mbushen dy muaj që Shqipëria i hapi negociatat me Bashkimin Europian, një ndër ngjarjet më të rëndësishme në 32 vite demokraci, por, siç edhe e vutë re, pavarësisht petkave që veshëm për festë, gëzimi ynë nuk qe veç një stoli e ftohtë, ne ishim më armiq se kurrë, armiqësi që e ka prodhuar kjo ngrehinë fajtore.

Europa?! Po ç’lidhje kemi ne me Europën?!

– Ja shihni. Ku ndodh në Europë kjo? Renditen me radhë të gjithë ministrat këtu, dëgjojnë me orë të tëra, iu hapet goja, pastaj bezdisen, kruajnë kokën, mjekrën, ia fusin me muhabet, përdëllehen kur vjen kryeministri, duatrokasin kur kryeministri shkel çdo etikë, madje kur thotë edhe fjalë që nuk i përmban dot nga nevoja për të lënduar, fjalë që po t’i shpjegosh me ligjësitë e subkoshiencës, në fakt e ka me ata/ato, pastaj ikin e shkojnë te kafja dhe në sallën bosh bluan si mulli kafeje vetëm njëri prej nesh në foltore. Por gjëja që nuk mungon kurrë është sharja e Opozitës, ngaqë bën detyrën për të kërkuar llogari.

– Meqë jemi te llogaria, siç ndodh në parlamentet e Europës, këtu duhet të jenë të pranishëm vetëm ata ministria me të cilët e kemi debatin sot. Ç’duan të tjerët këtu që rrinë këtu si matrioshkat e mezi presin të hedhin rropullitë e tyre, sapo dikush prej nesh guxon t’i kritikojë, vijnë këtu dhe hyjnë kohë e pa kohë në debatin parlamentar dhe na e marrin kohën me broçkullat e tyre.
Këtu të rrinë ministrat me të cilët kemi punë, të tjerët të shkojnë në punë e të mos vijnë në këtë sallë.

– E meqë jemi te kjo sallë, ndryshe nga Parlamentet në Europë, kjo plateja këtu me shkallë ngjan si ndërtim pa leje, siç është në fakt ky parlament, i gjithi ndërtim pa leje sepse ka ardhur me vota të vjedhura.
Shiheni me kujdes sallën, këtu ka një problem të madh konceptimi, qeveria rri në podium, deputetët më ulët se qeveria në plate dhe nuk merret vesh se kush është kush.
Në krye lart, siç e shihni, rri lideri në rrugën e tij në tentativë për t’u kthyer në Zeus dhe hedh nga andej shigjeta dhe e humb fare lidhjen me realitetin.

“Por, përgjegjësia e parë e liderit”, thotë Max DePree, “është të kuptojë realitetin. E fundit, të thotë faleminderit. Mes këtyre të dyjave, ai është veçse një shërbëtor.” Pra, të sillet si europian.

– E meqë jemi te sjellja, vetëm institucionale nuk është sjellja juaj dhe ngjani si një klub fshati. E kuptoj që familjarizimi i madh me pushtetin ju ka bërë t’ju duket si shtepia juaj shteti dhe silleni me të si në shtëpi. T’ju jap një shembull, kur prezantuat projektin tuaj të Portit të Durrësit me dubaistët, të cilëve nuk e kuptova përse iu desh vallë tre vjet t’ju bindnin se sa burra të mirë ishin, ministrja iu drejtua disa prej kolegeve me emër se po përfshiheshin në projekt edhe ato, si t’u shkelte syrin se kishte nga një copë për secilin. Që të mos flas për protozoarin e bashkisë që i thërret kryeministrit shqiptar kudo e nëpër studiot televizive me emër e me një servilizëm bataku.

Nuk besoj se do të ndërroni më sjellje, por thjesht për ca paragonata minimaliste me Europën, meqenëse po kalojmë sot projektligjin që lidhet me paraanëtarësimin tonë në Bashkimin Europian.

Që nga 29 tetor 2021 me VKM-në tuaj keni krijuar Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Bashkërendimit të Ndihmës ose SASPAC, si i thonë shkurt, dhe drejtori i kësaj agjencie është edhe koordinatori që e programon dhe e monitoron programin IPA (nga 2014), që përgjigjet për harmonizimin dhe përdorimin e instrumentave të paraaderimit me strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim dhe strategjinë sektoriale dhe koordinimin e ndihmës së huaj.

Dhe të gjitha këto i bën vetëm një njeri: ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqja, dora vetë, qysh nga koha e të cilit në Shqipëri ka më shumë farmaci se furra buke.
Pra, IPA-ku që gllabërohet nga SASPAC-u, që drejtohet nga NIPAC-u, me kryesuperagjentin Aspaku, i cili duhet të ishte te SPAK-u.
Kjo vetëm në Shqipëri ndodh, me një fjalë është si t’ia varë ujkut mëlçitë në qafë, për të na marrë më qafë ne shqiptarët e të na e nxjerrë bojën me Europën.

Pra, drejtori i SASPAC bëhet edhe menaxheri i IPA-k. Njëlloj si ish-drejtori i policisë së shtetit, nga vjedhjet e zgjedhjeve të Elbasanit, në zëvendministër për fondet e rrugës së Elbasanit. I shkartisni pak letrat se ka Shqipëria plot djem e vajza të zot, këtu e atje.

“E bëmë këtë shkrirje”, shpjegojnë ekspertët tuaj rrafinato, “në mënyrë që të mos humbim kohë. E në fakt mirë bëni, se duke nxituar ju duket se sa ngadalë ecën SPAK-u.

– E meqë ra fjala te SPAK-u do t’i bëja thirrje z. Arben Kraja, që të mos merret më me cironka, por të iki nga ajo zyrë me nder, me ndonjë peshk të madh, që të mbahet mend.

Pra, që ta mbyll:
Superdrejtori,
superagjenti,
supernegociatori,
superkoordinatori,
ky supermeni që na mban me zell hejbet për në Europë, është vërtet i ri në këtë punë, por i vjetër në zanat.
Kështu që jemi me fat. Ne, dhe veçanërisht Europa, me gjithë fondet që e pat.

“Jemi bërë si një klub fshati”, fjalimi ndryshe i Flutura Açkës: Rreshtohen këtu ministra që hapin gojën, kruajnë mjekrën dhe zgjohen kur vjen Rama

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook