Dy të mitur në Tiranë kishin menduar si një rrugë të shpejtë për të fituar para, mashtrimin përmes Instagram-it. Ata kishin hapur profile me foto vajzash, duke ‘peshkuar” për klientë, pasi pretendonin se ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës.
Por duket se kjo “gjetje” nuk u ka rezultuar e suksesshme, pasi janë buluar nga policia.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”, për shtetasit e mitur D. B. dhe D. P., banues në Tiranë, pasi kanë krijuar adresa false, me foto vajzash, në rrjetin social Instagram, dhe nëpërmjet tyre kanë mashtruar shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do t’u ofronin shërbime me natyrë seksuale, kundrejt pagesës”, njofton policia.
Sakaq, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.