Renato Malota nuk e konsideron dramë barazimin me Iskrën në ndeshjen e parë, sepse i kanë të gjitha shanset për të shkuar te kualifikimi. Në prononcimin e dhënë enkas për “Panorama Sport” pas ndeshjes, 33-vjeçari pranoi se sfidat në Europë nuk janë të lehta, sidomos ndaj skuadrave nga Mali i Zi, sepse dinë të mbrohen mirë. Gjithsesi, në fund, ai është i bindur te kalimi i turit.
“Dihet që ndeshjet në Europë janë të vështira dhe nuk ka takime të lehta. Ekipet e Malit të Zi gjithnjë kanë treguar se dinë të mbrojnë mirë dhe na kanë vënë në vështirësi.
Mendoj që pjesa e parë nuk ishte aty ku duhet, por në të dytën u përmirësuam shumë dhe arritëm të rrezikonim disa herë, edhe pse nuk arritëm të shënonim.
Por kam shumë besim që në ndeshjen e kthimit do të bëjmë më mirë”, u shpreh fillimisht qendërmbrojtësi i kurbinasve.
REZULTATI
Edhe pse normalisht laçianët hynë në fushë për fitore, sërish barazimi nuk ndryshon asgjë sa i përket ndeshjes së kthimit. Për Malotën, shanset në futboll janë 50 me 50, por me kualitetet që kanë, mendon se do t’ia dalin.
“Ky rezultat nuk ndryshon asgjë për ne sa i përket sfidës së kthimit, ku e rëndësishme është që nuk kemi pësuar dhe çdo gjë është e hapur. Kam besim te kualitetet që kemi.
Tani kemi edhe një armë plus, sepse e njohim mirë lojën e kundërshtarit, i mësuam pikat e tyre të dobëta dhe të forta dhe besoj se në ndeshjen e kthimit do të dalim me fitore.
Futbolli tregon që nuk ka favoritë dhe mendoj se është 50 me 50, por ne do të shkojmë për të bërë maksimumin dhe për t’u u kualifikuar”, vijoi më tej 32- vjeçari.
KRAHASIMI
Malota e pranon se largimet e shumta nga sezoni i kaluar bëjnë pjesën e vet, sepse është një tjetër mesfushë tani, por ka besim te lojtarët e afruar, pasi, sipas tij, po bëjnë mirë.
“Ky Laç normalisht që është pak ndryshe nga ai i vitit të kaluar, sepse është larguar gati gjysma e ekipit, mesfusha e tëra.
Por e rëndësishme është që lojtarët e ardhur po bëjnë mirë dhe pavarësisht se në këtë ndeshje improvizuam me Guindon, ai është një sulmues, por luajti pas sulmuesit.
E kemi ndjerë edhe mungesën e tyre, por të shohim përpara”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën mbrojtësi i Laçit.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…