Pak kolegë në xhiro mund ta konkurrojnë, Benzema është i vetmi numër 9 autokton

Në verën e vitit 2014, Luis Suarez firmoste për Barcelonën, por pak para firmës me katalanasit ekzistonte dhe mundësia që ai të vishte fanellën e Realit të Madridit. Ideja për të firmosur me uruguaianin e kishte entuziazmuar asokohe trajnerin e Madridit Karlo Ançeloti në etapën e tij të parë në Madrid. Ai shihte te Luis Suarez një përforcim të jashtëzakonshëm në sulm. Por vetëm një detaj bëri diferencën. Një nga drejtuesit e Realit të kohës, Hoze Angel Sançez, ia bëri të qartë trajnerit italian se për të afruar Luis Suarezin duhet të sakrifikonte Karim Benzemanë, që kishte mbërritur në Madrid 5 vite më parë.

BENZEMA 1

Përgjigjja e Karlosit qe e prerë: “Jo, në asnjë mënyrë”. Numri 9 i Realit ishte i paprekshëm për Ançelotin. Trajneri italian e dinte më mirë se kushdo se askush veç Benzemasë nuk mund të ishte krahu i djathtë i Kristiano Ronaldos. Këtu mbaroi historia e Luis Suarezit në Madrid. Që nga ajo ditë kanë kaluar 8 vjet. Dhe Karim Benzema është ende te Reali dhe kampion i Europës. Praktikisht dhe lojtari më i mirë në botë për momentin. Kapiteni i ri i Realit do të nisë sezonin e tij të 14-të në “shtëpinë e bardhë”, aty ku e nisi me fanellën me numër 11 për të veshur tashmë numrin 9.

Në 13 sezone në Madrid ka parë nga të gjitha, që nga momentet më të lumtura deri te vështirësitë e mëdha që i kërcënonin të ardhmen te Reali. Momentin më të vështirë e kishte me Murinjon me të famshmen “qeni dhe macja”. Por ajo kohë është veçse një kujtim. Që nga vera e vitit 2009, francezi ka ndërtuar një histori suksesi me fanellën e Realit, duke mbajtur numrin 9 mbi supe. Në rrugëtimin e tij shënohen 5 tituj në Ligën e Kampioneve, shifër e njëjtë me ikona të klubit si Di Stefano. Në këto 14 sezone në “Bernabeu”, Benzema ka parë se si pozicioni prej sulmuesi pykë ka ndryshuar vazhdimisht mes klubeve më të rëndësishme në Europë, por në Madrid ai e ka kthyer në një pronë private.

LEVANDOVSKI, MË I AFËRTI

LEVANDOVSKI

Në pritje të zhvillimeve në Mynih në lidhje me të ardhmen e Levandovskit – sulmuesi e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet nga Gjermania – Bajerni është klubi i vetëm pas Realit që ka ruajtur një stabilitet në sulmin e tij që kur Benzema zbarkoi në Madrid në vitin 2009. Duke nisur që nga vera e 2014- ës, sulmi i Bajernit ka folur gjuhën polake, me një rendiment  gati të pabesueshëm: 344 gola në 375 ndeshje. Golashënuesi nga Varshava iu bashkua bavarezëve nga Dortmundi për të pasuar Mario Gomezin e Mario Manxhukiçin.

ATLETIKO MADRID

ATLETIKO MADRID

Në anën tjetër shfaqen “Colchoneros”. Ndërsa Benzema ka shkruar historinë e tij “të bardhë”, në gjysmën tjetër të kryeqytetit spanjoll, Atletiko është kthyer në një sfilatë numrash 9. Kur Reali prezantonte Benzemanë në vitin 2009, tek Atletiko ishte Diego Forlan, heroi i sezonit me dy golat në finalen e Ligës së Europës kundër Fulhamit. Pas tij erdhën me radhë, Falkao, Diego Kosta, Manxhukiç, Fernando Torres, Gameiro, Korrea, Morata, Luis Suarez e Mateus Kunja…

IBRAHIMOVIÇ

IBRAHIMOVIC

Kur flitet për ndryshime, flitet jo vetëm për skuadra, por dhe lojtarë. Në ndryshim në vazhdim shfaqet figura e Zlatan Ibrahimoviçit. 14 vjet më parë kur Benzema firmoste në Madrid, Ibra luante për Barcelonën. Prej aty shkoi në Milano, Paris, Mançester, Los Anxhelos dhe kur gjithçka dukej e mbyllur për të, ai u kthye sërish në Milano, për të shpallur Milanin kampion.

LEDJO SEFERKOLLI-Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Pak kolegë në xhiro mund ta konkurrojnë, Benzema është i vetmi numër 9 autokton

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook