Tre persona kanë rënë në pranga nga Policia e Pogradecit, pasi u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga kanë rënë shtetasit:
-Dianiels Kamberaj 28 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq;
-Blerand Kozici, 37 vjeç, banues në fshatin Dunicë, Pogradec;
-Adi Bregu 32 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq (me masë sigurie “Arrest në shtëpi”).
Sakaq materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Pogradec/Finalizohet operacioni policor “Perimetri 200”.
U kap duke transportuar 17 emigrantë të paligjshëm, të cilët ishin fshehur në karrocerinë e kamufluar të automjetit, me qëllim shmangien e kapjes nga Policia, vihet në pranga 28-vjeçari.
Vihen në pranga edhe 2 bashkëpunëtorët e tij, të cilët kontrollonin rrugën me një automjet tjetër, për të shmangur shërbimet e Policisë. Njëri nga këta shtetas, pas kapjes në flagrancë, kallëzoi me identitet të rremë në Polici, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Shërbimet e Policisë, falë organizimit të veprimeve, në bazë dhe të inteligjencës informative, në afërsi të rezervuarit të fshatit Blacë, Pogradec, bënë të mundur kapjen e shtetasit D. K., që drejtonte automjetin furgon tip “Ford”, në karrocerinë e kamufluar të të cilit u gjetën 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt pagesës 1000 euro për person, iu ishte premtuar transportimi në drejtim të Tiranës dhe më pas drejt vendeve të BE-së. Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi B. K., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me pasagjer shtetasin A. B., monitoronte rrugën, për të sinjalizuar 28-vjeçarin, në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë, në rrugë.
Nga veprimet e mëtejshme procedurale dhe verifikimet e kryera, rezultoi se shtetasi A. B. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe për të shmangur ndalimin nga Policia, dha identitet të rremë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Arena e Lajmit