EKSKLUZIVE/ “Partizani i kalon gjeorgjianët duke sulmuar”, Përparim Daiu: Ja çfarë u duhet “demave” për sezonin e ri (E PLOTË)

Përparim Daiu, ish-kapiten i Partizanit, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pohoi se “demat” ia dalin ndaj gjeorgjianëve vetëm duke sulmuar. Ai rendit arsyet se pse nevojitet kualifikimi, duke mos uruar negativitetin që sjell dështimi. Sfidën e parë e vulosi një bashkëqytetar i Daiut, Tedi Cara, gjë e cila tregon se kavajasit kanë kontribuar shumë për fanellën e kuqe. Daiu është i mendimit se Partizani duhet të përforcojë boshtin dhe duke vijuar me trajner shqiptar, ekipi do të jetë “i frikshëm” në sezonin e ri.

PERPARIM DAIU

Duke parë ndeshjen e parë të Partizanit në Gjeorgji, përveç rezultatit pozitiv çfarë ju bëri përshtypje apo evidentuat?

Përshtypje më bëri administrimi i mirë që Partizani i bëri pjesës së dytë, ku mori fitoren. Ditë pas dite ekipi do të konsolidohet, pasi ka nevojë në reparte të veçanta të furnizohet me lojtarë dhe të bëjë një merkato cilësore. Partizani i vjetshëm, ndonëse siguroi pjesëmarrjen në Europë, nuk ishte aty ku duhej, se bëhet fjalë për një emblemë futbolli në Shqipëri që gjithnjë pretendon për trofe.

Ndeshja me Saburtalon, pa dalë në emra konkretë, tregoi se Partizani ka nevojë për përforcime në pozicione e reparte të veçanta. E rëndësishme është që fitoi, por gjithmonë me këmbë në tokë dhe në ndeshjen e kthimit të jenë më shumë profesionistë, pasi diferencat me gjeorgjianët nuk është se janë të mëdha. Lojtarët duhet të hyjnë në fushë si ushtarë dhe jo si gjeneralë, dhe të arrihet kualifikimi.

Presidenti Demi për “Panorama Sport” pas fitores në Gjeorgji pohoi se Partizani ka bërë 51% për kualifikimin. Mos ndoshta edhe ekipi duhet të zbresë në fushë me këtë mendim dhe jo euforik?

I bashkohem kësaj deklarate të presidentit, pasi është fiks mendimi i duhur për të përgatitur ndeshjen e kthimit. Ai 1% në favor ka të bëjë me golin e fitores që kemi shënuar, por kuotat për mua janë atyaty. Larg qoftë, të pësosh një gol shkon barazim dhe gjithçka nis nga e para. Pa eufori dhe me porositë taktike që trajneri i di më mirë, ekipi duhet të hyjë në fushë për të dhënë maksimumin.

Shpesh, rezultati 1-0 shikohet më shumë si ankth sesa favorizues…

Për mua rezultati 1-0, edhe pse e ke në favor, nuk të lë të shpresosh e të kalosh në aventura. Kur ke 2 gola në avantazh je i sigurt. Ndaj, Partizani duhet të ketë kujdes të enjten që të shkojë te kualifikimi

Duhet të luajnë si në takimin e parë, që e pritën kundërshtarin në fillim apo duhet të guxojnë që në start?

Unë jam i parimit: “Mbrojtja më e mirë është sulmi”. Partizani duhet të sulmojë dhe të shënojë sa më shpejt që të ketë situatën nën kontroll dhe të krijojnë siguri për kualifikimin. Futbolli prandaj është i bukur, se ka edhe të papritura. Unë them se Partizani nuk duhet të presë në ndeshjen e kthimit, por ta nisë sfidën në sulm.

Duke ditur se kundërshtari nuk ka çarë humbet, ju jeni i mendimit se Partizani duhet të zbresë në fushë me plan sulmues…

Patjetër që kështu duhet të funksionojë. Madje, edhe në ndeshjen e parë nuk isha dakord me ndërrimin e Skukës, që mbase ka ardhur edhe për shkak kartonësh, pasi ra fuqia sulmuese e skuadrës. Sulmuesi maqedonas (Cvetanovski) e kishte mundësinë për të dyfishuar, por duhet sa më shumë potencial në fazën ofensive. Kur ke forcë sulmuese dhe rrezikshmëri, ekipi është më lart dhe më larg rrezikut të pësimit.

A besoni se Partizani ia del nesër ndaj Saburtalos?

Unë besoj shumë, sepse kjo ndeshje, përpos kualifikimit, përkthehet në anë monetare për klubin, që sjell optimizëm dhe merkato. Kjo ndeshje shton negativitetin nëse nuk kualifikohen dhe pozitivitet në rast suksesi.

Ju përmendët më lart që Partizani ka nevojë për përforcime, si ish-kapiten, konkretisht ku duhet të ndërhyjnë drejtuesit në merkato?

Partizanit i nevojitet forcimi i boshtit. I duhet një qendërmbrojtës shumë i mirë, përveç lojtarëve me përvojë që ka. Një qendërmbrojtës cilësor do të ishte një siguri më shumë. Në mesfushë ekipi ka nevojë për më shumë kreativitet. Përveç Skukës, Partizanit i duhet edhe një sulmues tjetër potent, që të spikasë.

Skuadrat shqiptare që marrin pjesë në Europë zakonisht merkaton e bëjnë me dy faza, ku në rast dështimi nisin edhe revolucionet…

Prandaj e përmenda pozitivitetin dhe negativitetin që mund të sjellë ndeshja e kthimit me Saburtalon për Partizanin. Pozitiviteti lidhet me anën morale e financiare dhe vazhdimin e sukseseve.

Partizani ka treguar se nuk ka bërë “hajër” me trajnerë të huaj. A duhet të besojnë tani vetëm te teknikët vendës, pasi ka pasur dhe ende qarkullojnë zëra se të kuqtë nuk heqin dorë nga të huajt?

Partizani e ka një përvojë në lidhje me këtë temë, pa hyrë në debatin me plus-minuset për trajnerët e huaj. Unë jam për një trajner që e njeh kampionatin shqiptar, sepse ka specifikë dhe mentalitet, ka shumë ndryshime, si dhe kemi edhe trajnerë elitarë në vend.

Për mua Partizani duhet të punojë i qetë në këtë aspekt, pasi ka edhe një drejtor teknik që ka ardhur i ri në detyrë dhe që është i familjes së kuqe e i botës së futbollit. Shpresoj që edhe drejtori Marini të ketë dorën e profesionistit dhe besoj shumë tek ai.

Ndeshjen e parë në Gjeorgji e zgjidhi një bashkëqytetar i juaj. E parashikoni se edhe nesër Tedi Cara mund të jetë përcaktues?

Shpresoj, por unë shpresoj që Partizani të kualifikohet. Po të jetë Tedi protagonist, patjetër që do të më bëhet qejfi edhe më shumë, pasi edhe ne si kavajas kemi kontributet tona te Partizani.

Klubet shqiptare luftën më të madhe e bëjnë për të siguruar pjesëmarrjen në Europë. Mos ndoshta ka ardhur momenti, duke parë edhe shtimin e kompeticioneve dhe formulën favorizuese, që Partizani dhe klubet shqiptare të synojnë edhe fazën e grupeve të Kupave të Europës?

Në rast kualifikimi me Saburtalon, Partizani e ka shortin më të vështirë se ekipet e tjera, pasi luan me gjigantët e futbollit rumun, Steaua e Bukureshtit.

Ndërsa Tirana ka super shanse për të kapur grupet se formula e favorizon, ku vjet pamë Teutën që luajti në tri ture. Partizani të kalojë fillimisht gjeorgjianët, pastaj të mendojë Steauan. Koha ka ardhur që ekipet shqiptare të mos kënaqen vetëm me tarifën e pjesëmarrjes në Europë, por të shkojnë deri në fazën e grupeve, ku do të kishin më shumë të mira dhe të ardhura.

Po në sezonin e ri, si e shikoni Partizanin?

Partizani nëse do të bëjë tri goditjet që përmenda më lart në forcimin e boshtit, do të jetë një ekip “i frikshëm” dhe dinjitoz për trofe. Pretendente shikoj edhe Tiranën si kampione në fuqi, Vllazninë, pa harruar edhe Laçin, që ka treguar se mbetet një “kockë e fortë” në futbollin shqiptar. Uroj që Partizani të jetë sipas traditës edhe në mënyrën e lojës, një ekip agresiv. Ai Partizani që të mund me vrull dhe dëshirë. Ndaj, kështu e shikoj Partizanin në sezonin e ri.

ILIR CARA – Arena e Lajmit

 


Loading…

Loading…

EKSKLUZIVE/ “Partizani i kalon gjeorgjianët duke sulmuar”, Përparim Daiu: Ja çfarë u duhet “demave” për sezonin e ri (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook