Lorenco Vila beson te një Teutë ndryshe, që nuk ka lidhje me atë të sezonit të kaluar. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai ndalet te fillimi i përgatitjeve dhe ndryshimet e shumta në skuadër. 23- vjeçari beson se skuadra do të rikthehet të jetë kompetitive.
Lorenco, keni mbyllur një javë stërvitje. Si po ndiheni?
Në këto 7 ditë jemi stërvitur shumë të përqendruar, pasi dihet që vinim nga një periudhë e gjatë pushimi. Në ekip është atmosferë pozitive dhe shpresojmë të vijojmë me këto ritme deri në startin e sezonit të ri.
Ka pasur shumë lëvizje në skuadër. A mund të na bëni një krahasim të Teutës aktuale me atë të sezonit që të kaluar?
Kjo Teutë normalisht që është ndryshe, sepse është larguar gati gjysma e ekipit. Veçanërisht në repartin e mesfushës ka pasur shumë lëvizje, por e rëndësishme është që lojtarët e ardhur të bëjnë mirë. Klubi kërkon që të ketë një ndërthurje mes lojtarëve me eksperiencë dhe djemve të rinj që kanë dëshirë të bëjnë mirë.
Ky pritet të jetë viti i gjashtë për ju me fanellën e Teutës, që nga viti 2017, kur debutuat në Superiore. Çfarë prisni?
Normalisht ne kemi nxjerrë mësime nga sezoni i fundit. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mobilizohemi maksimalisht për të arritur aty ku duhet. Pres të jetë një kampionat i fortë, pasi edhe ekipet e tjera po forcohen.
Çfarë duhet të bëjë ndryshe Teuta që të jetë shumë më mirë se sezoni i fundit?
Nëse flasim për sezonin e fundit, në pjesën e dytë të kampionatit kemi qenë shumë mirë në lojë dhe rezultate. Rezultatet e fillimsezonit na bënë shumë keq. Skuadra pati oshilacione për shumë arsye. Po të krahasosh rezultatet nga mesi i fazës së tretë e në vazhdim janë shumë të mira. Siç e thashë, ishte fillimi i kampionatit që na ndëshkoi. Në sezonin e ri Teuta do të synojë të bëjë më mirë se kampionati që lamë pas dhe për këtë jam i bindur se do të ndryshojnë shumë gjëra.
Ju ka vendosur klubi ndonjë objektiv konkret?
Teuta është një klub që është mësuar të luftojë për trofe dhe për këtë shihni dy vitet e fundit. Do të përpiqemi të jemi gjithnjë në majë, ky është synimi. Rrugës më pas do të shihen edhe paraqitjet që do të kemi, pasi duhet një menaxhim i mirë i ndeshjeve dhe situatave. Do ta shohim në vazhdimësi, por normalisht kemi synim të jemi lart.
ZAMIR QYPI – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…