“Viktimë” e rrethanave dhe prapaskenat me klubin e ri/ Anglezët skanojnë Manajn, kush është shqiptari i Uotfordit

Rei Manaj është lojtari më i ri i Uotfordit. Pasi u prezantua ditën e martë me klubin anglez, “The Athletic” ka publikuar një artikull special për të. Prapaskenat e marrëveshjes, karriera e Manajt, klubet e shumta që ka ndërruar, si dhe deklaratat që ka thënë ndër vite, janë rreshtuar në këtë shkrim special.

manaj

PRAPASKENAT TEK UOTFORDI

Ata kishin udhëtuar pa bagazhe, sepse e dinin që ky udhëtim në Londër do të ishte i shkurtër. Ishte e martë, data 5 korrik, rreth orës 2:30, kur sytë e tyre panë letrën e bardhë që mbante shoferi në dorë, ku me ngjyrë të zezë shkruante “Mr.Manaj”. Ishte Rei bashkë me të dashurën e tij. U përshëndetën me të, por nuk shkuan menjëherë drejt makinës, pasi duhet të prisnin.

Çifti sapo kishte ardhur nga Milano, por përfaqësuesit e Manajt ishin në një tjetër fluturim, atë nga Malaga e Spanjës dhe mbërrinin 20 minuta më vonë. Informacioni iu transmetua shoferit, i cili buzëqeshi me mirësjellje dhe gjeti një shtyllë ku të mbështetej. Manaj vendosi, për të vrarë kohën, që ata të futeshin në radhë në një filial të “Costa Coffee”.

Këtu “The Athletic” gjen kohën për të shkëmbyer dy fjalë me të. “Jam këtu për të parë terrenin, fushën ku stërvitet Uotfordi, si dhe për të takuar pronarin e klubit Xhino Poco, për të folur për projektin që ka”, tha sulmuesi.

manaj

KONTRATA

Manaj, i cili fliste mirë anglisht, ishte edhe në lupën e disa skuadrave në Serinë A, por edhe Getafe në La Liga. Uotfordi ishte paraqitur si opsion fundjavën e kaluar. Më pas, vendimi ishte marrë një ditë më parë se ai do të fluturonte jashtë për të lëvizur një hap më afër një kapitulli tjetër në karrierën e tij.

Brenda një jave, u ra dakord që ai të nënshkruante një kontratë trevjeçare me Uotfordin. Barcelona nuk do të merrte një tarifë fillestare, por do të kishte “të drejtën e blerjes para një ekipi tjetër, si dhe 50 për qind të çdo shitjeje të ardhshme”, shpjeguan ata në një deklaratë. Kuptohet se shtesat janë përfshirë në marrëveshje, duke përfshirë një pagesë për Barcelonën përmes shtesave nëse arrihet promovimi në Premier Ligë në dy vitet e ardhshme.

SPECIA VENDOS TË MOS E BLEJË

Arsyeja pse Manaj ishte një mision zbulimi dhe një nisje e re në Angli, ishte edhe për faktin se Specia ku ai luajti sezonin 2021-2022 me numrin 9, nuk kishte vendosur për ta blerë për 2.2 milionë euro deri në fund të marrëveshjes së huazimit të tij më 30 qershor. Specia pagoi 250 mijë euro te Barça për huazimin si dhe mbuloi rrogën e Manajt, ndërkohë në fund ata kishin opsione të tjera për sulmin. Në 30 ndeshje Manaj shënoi 5 gola, dy prej tyre me penallti, të cilat ishin më pak se numri i golave që priteshin. Tre golat e sulmuesit që nuk erdhën nga pika e bardhë ishin përpjekje nga afërsia: një brenda zonës së gjashtë metrave, dy vetëm jashtë.

Ai krijoi 13 raste për shokët e skuadrës, por nuk regjistroi asistim. Arsyet që lidhen me paraqitjet në fushë dhe rrethanat jashtë saj kontribuuan që Specia, e cila përfundoi në vendin e 16-të, 6 pikë mbi zonën e rënies, vendosi përfundimisht të mos e mbajë Manajn. Edhe pse rezultati i tij ishte i dobët, ai pati një ngritje, ndërsa sezoni po shkonte drejt fundit. Pas një goli në 16 ndeshjet e tij të para, ai shënoi katër në 14 paraqitjet e tij të fundit.

manaj

Jashtë fushës, Specias iu dha një dënim duke iu ndaluar transferimi për katër dritare merkatoje për shkeljen e rregullave të FIFA-s, me nënshkrimin e lojtarëve nën 18 vjeç, që do të thoshte se ata nuk ishin në gjendje të sillnin lojtarë të rinj. Ai hyri në fuqi pasi Manaj kishte firmosur. Pas ankimimit në CAS, dënimi u hoq dhe ekipi italian ishte i lirë të firmoste me lojtarë të rinj dhe ata nuk kishin më nevojë që të mbeteshin tek opsioni i tyre Manaj, që kishin të drejtë ta mbanin, nëse do të mbetej dënimi.

“VIKTIMË” E RRETHANAVE

Nuk është hera e parë që shqiptari është viktimë e rrethanave. Verën e kaluar, ai u përfshi nga turbulencat financiare të Barcelonës pas largimit të Lionel Mesit. “Ndihem me fat që kam qenë në gjendje të punoj përkrah lojtarit më të madh në histori”, tha Manaj kur Mesi u largua për t’iu bashkuar Parisit në gusht 2021. “Ka qenë një kënaqësi e madhe të mësoja nga ju”, u shpreh ai. Në fillim ai ishte pjesë e ekipit pastaj mbeti jashtë. Rregulla të rrepta të shpenzimeve dhe buxhetit imponuan gjigantët spanjollë që të dërgonin Manajn tek ekipi B i klubit.

Ai ishte golashënuesi më i mirë i ekipit B në 2020-‘21 me 14 gola në 22 ndeshje dhe më pas shënoi gjithashtu një tripletë duke luajtur për ekipin e parë në një miqësore parasezonale kundër Gjimnastikut në korrik 2021. Më pas ai shtoi një tjetër gol kundër Gironës, duke bërë katër gola në 117 minuta para nisjes së sezonit.

Afrimet e Depait dhe Garsias nga Lioni dhe Junajtid, si dhe ulja e rrogës së Pikesë, Buskets dhe Albës, erdhën shkurtimet dhe u shitën një sërë lojtarësh të tjerë. Manaj i kaloi tri ndeshjet hapëse të kampionatit në stol dhe ditën e fundit të merkatos u huazua te Specia. Edhe pse i kishin mbetur edhe dy vite nga kontrata e tij me gjigantët spanjollë, u ndie si një lamtumirë përfundimtare. “Ndihem krenar që kam qenë pjesë e kësaj familjeje të madhe, të cilën do ta mbaj gjithmonë në zemër”, tha Manaj në atë kohë.

manaj

KARRIERA

Pasi takoi përfaqësuesit e Uotfordit dhe diskutuan kushtet personale, plani ishte për një fluturim në shtëpi dhe nëse negociatat mes klubeve të vazhdonin, Manaj do të bënte një tjetër udhëtim drejt Londrës, ashtu siç ndodhi. Të mërkurën Manaj u kthye në shtëpi, në Itali. Aty i hodhi rrënjët familja e tij kur kaluan detin Adriatik dhe emigruan nga Shqipëria kur ai ishte i vogël. Ai u rrit në Kodonjo, në veri të vendit, dhe filloi karrierën e tij në akademinë në Piacvencës në moshën 11-vjeçare.

Xhixhi Simoni ishte president dhe ish-drejtor teknik te Kremoneze, kështu që kur Interi u thirr, njeriu që kishte drejtuar në “San Siro” në vitet 1990, ishte në gjendje që të jepte një referencë të shkëlqyer. “Ai është një talent i vërtetë që ka besim të madh në vetvete”, tha ai për “La Gazzetta dello Sport” në atë kohë. Simoni, i cili vdiq në vitin 2019, luajti një rol të madh në karrierën e Manajt: “Xhixhi më donte. Qëndrova në kontakt me të deri në fund dhe tani mendoj për gruan dhe djalin e tij Leonardo. Ai ishte një person i veçantë”, është shprehur Manaj.

VITI KYÇ

Një vit kyç në zhvillimin e Manajt ishte viti 2015. Atij iu dha mundësia në ekipin e parë të Interit, i drejtuar nga Roberto Mançini, dhe bëri një debutim rekord për Kombëtaren e Shqipërisë. Në nëntor ai shënoi me prekjen e tij të parë, 12 sekonda pas hyrjes kundër Kosovës, duke u bërë zëvendësuesi më i shpejtë dhe golashënuesi më i ri në historinë e kombëtares së tij.

Por atë vit, atij i doli edhe një pengesë tjetër në rrugë. Iu desh të tërhiqte një deklaratë që bëri në “Facebook” dhe t’i kërkonte falje trajnerit Xhani de Biazi për listën e Kombëtares. “Unë jam i ri dhe impulsiv, por edhe inteligjent. Reflektova dhe kuptova se kisha gabuar”, tha ai.

MANAJ2

HUAZIMET

Gjatë huazimit të tij të parë nga Interi te Peskara për sezonin 2016-‘17, pasi shënoi dy gola në 14 paraqitje në Serinë A, ai më pas nuk u pa sy më sy me trajnerin Masimo Odo, i cili e pezulloi për një muaj për dënim disiplinor. Më pas në janar 2017 ishte te Piza ku realizoi dy gola në 17 paraqitje në Serinë B nën drejtimin e Xhenaro Gatuzos.

Huazimi i tij i tretë nga Interi e çoi atë në Spanjë ku shënoi një gol në 19 paraqitje për Granadën gjatë 2017- ‘18. Më pas ai qëndroi në divizionin e dytë spanjoll dhe iu bashkua Albasetes në një huazim fillestar me detyrim për ta blerë. Atje ai shënoi nëntë gola në 37 ndeshje gjatë dy sezoneve përpara se të transferohej te Barcelona në janar 2020.

SPANJA DHE PANDEMIA

Barcelona i pagoi Albasete-s 600 mijë stërlina, me 1.7 të tjera që duhej të shtoheshin në varësi të performancës së lojtarit gjatë kontratës që ai nënshkroi deri në vitin 2023. Ata konfirmuan në atë kohë se klauzola e tij e blerjes ishte 42 milionë paund. Ende vetëm 22 vjeç, Manaj iu bashkua klubit të 7 të karrierës së tij. Gjatë 18 muajve të ardhshëm, ai shënoi 16 gola në 31 ndeshje në nivelin e tretë të Spanjës, në gjysmën e dytë të sezonit 2019-‘20 dhe sezonin 2020-‘21, në mes të ndërprerjes së pandemisë. Gjatë periudhave të izolimit në Barcelonë, ai kaloi kohë me prindërit, gjyshen dhe qenin e tij Labrador Budino.

Ndërkohë që kishte komoditete shtëpiake të kuzhinës shqiptare si sultjash, Manaj e kalonte kohën duke lexuar libra, më saktë librin motivues “Sekreti”, i cili përkrah virtytet e të menduarit pozitiv. “Në këto kohë të vështira, më ka ndihmuar shumë”, tha ai në një intervistë për klubin në atë kohë.

Rei Manaj festa e golit

“Më pëlqen shumë të lexoj për shkak të detajeve dhe shërben për të pastruar mendjen”. Kur ai mori fluturimin e tij të dytë për në Londër të premten, më 8 korrik, ai po mendonte të bënte një fillim tjetër pozitiv në klubin e 9-të të karrierës së tij. Hera e fundit që Uotfordi kishte negociuar me Barcelonën ishte kur Xherard Deolofeu arriti në huazim në 2018-ën. Këtë herë, Manaj qëndroi në hotelin “Sopwell House” dhe këto ditë është takuar me trajnerin Rob Eduards, i cili do të përcaktojë se ku do të përshtatet më mirë Manaj.

Përgatiti: KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

“Viktimë” e rrethanave dhe prapaskenat me klubin e ri/ Anglezët skanojnë Manajn, kush është shqiptari i Uotfordit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook