Si sot tre vite më parë Shqipëria u trondit nga tërmeti më i fuqishëm ndër dekada. Ishte ora 03:56, kur një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda, goditi Durrësin dhe Tiranën dhe disa bashki të tjera, duke iu marrë jetën 51 personave dhe plagosur qindra të tjerë. Pasojat e këtij tërmeti tronditës ishin akoma më tragjike, pasi u prekën plot 202 mijë njerëz, teksa u shkatërruan qindra banesa.
Pallate, shtëpi, shkolla të shembura, njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie shqiptare e të vendeve fqinje ishte tabloja e asaj tragjedie, mëngjesin e 26 nëntorit të 2019-ës.
Shumë familje humbën banesat, bizneset, të cilat u kthyen në rrënoja, ndërsa ende shumë prej tyre vijojnë që të qëndrojnë nëpër çadra.
Epiqendra e tërmetit ishte 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, ndërsa nga lëkundjet u prekën 11 bashki, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Padyshim që pasojat u ndjenë në shumë bashki; Shijak, Krujë, Kamëz, Kavajë, Kurbin, Lezhë, Rrogozhinë dhe Mirditë. Dëmet më të mëdha u regjistruan në Kodër-Thumanë, ku u shemb një pallat 5 katësh, ndërkohë që dëme të mëdha përjetoi edhe Laçi.
Kujtojmë se 300 çadra emergjencash u ngritën pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për t’iu ardhur në ndihmë për strehim rreth 1,000 personave. Aktualisht vijon procesi i rindërtimit në disa bashki, ndërsa ka familje që kanë hyrë në banesat e tyre të reja si dhe shumë të tjera që pritet të futen, duke shpresuar për një jetë të re. Gjurmët e natës së 26 nëntorit të tre viteve më parë janë në kujtesën e kujtdo, që sot kujton se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda.
Arena e Lajmit