Nga ndërrimet te gjendja fizike, ja ku çaluan “demat” e Partizanit

Eliminimi i Partizanit ndaj Saburtalos mban firmë dhe përgjegjësi kolektive, por në raste të tilla pesha më e madhe anon nga stafet që kanë kryer merkaton, përgatitjet, si dhe përzgjedhur strategjinë dhe formacionin. Janë të shumta arsyet që e çuan Partizanin te katranosja me duart e tij ndaj gjeorgjianëve, duke zhbërë avantazhin e arritur me fat në ndeshjen e parë në Gjeorgji.

Partizani ndeshja

-Së pari, Partizani e kishte përgatitur keq ndeshjen, pasi e nisi në mbrojtje duke i dhënë terren dhe zemër kundërshtarit për t’i mbyllur në gjysmëfushën e vet.

-Me atë që u pa në fushë, nuk mund të flitet për plan A, plan B apo plan C, pasi shthurja taktike, lojtarë jo në pozicione dhe paaftësia për të ndërtuar dhe finalizuar aksionet doli në pah. Disa herë trajneri ndryshoi skemën dhe vendosjen e lojtarëve, por mesfusha mbeti në hije dhe e distancuar nga sulmi.

Spostimet e shpeshta më shumë i shpërqendruan futbollistët, pasi në këtë ndeshje kishte lojtarë si Rrapaj që u provua gati në çdo rol në mesfushë dhe sulm. Partizani e kishte ndërtuar lojën te kundërsulmi, por nuk ia arriti, madje nga një taktikë e tillë u zu mat nga kundërshtari. Në pjesën e dytë dhe në shtesa të kuqtë nuk përfituan asnjë faull, tregues që tregon shumë.

-Nëse në pjesën e parë ia arritën të mbroheshin, kjo gjë nuk ndodhi në të dytën dhe padyshim shkaku erdhi edhe si rezultat i zëvendësimeve jo të qëlluara. Hoti u la në dushe në fund të pjesës së parë dhe në vend të tij hyri Cvetanovski, i cili vërtetë mund të ketë cilësi, por nuk ka fuqi. Dukej qartë në disa raste ku sulmuesi maqedonas, që më shumë u pa të luante si “fshirëse xhamash makine”, ku merrte sprintin final, nuk e çonte në fund, pasi e tradhtonin gjunjët.

Madje, nga një mosndjekje deri në fund e aksionit nga ky lojtar solli më pas gabimet në seri te pësimi i golit. Ajo që i vulosi zëvendësimet jo të sakta, kishte të bënte me Edison Ndrecën, që e futi dhe e nxori pa bërë 25 minuta në fushë. Hyrja e mbrojtësit të Kukësit i huazuar te “demat” më shumë ishte prishje imazhi për palët sesa vlerë e shtuar.

-”Thembra e Akilit” e dështimit kishte të bënte me gjendjen fizike të ekipit. Shumë lojtarë lanë për të dëshiruar. Duke pasur këtë defekt, Partizani ia shtoi mundin vetes duke e çuar ndeshjen me shtesa. Për shkak të kondicionit të ulët fizik, lojtarët nuk ishin të gatshëm të rikuperonin gabimet dhe gjeorgjianët patën shumë hapësira në dispozicion, ku në fund shpërdoruan një rast për dyfishim.

-Boshti i skuadrës mungon. Partizani e kishte llogaritur që ta niste lojën nga qendra e mbrojtjes, por lojtarët në këtë sektor ishin të avashtë dhe të pasaktë në pasime. Organizatori i lojës është “mollë e ndaluar” prej kohësh te Partizani. Pastaj mungon edhe “pyka” ideale. Skuka u mundua, por duke bërë presion i vetëm dhe pa mbështetje nga prapa, humbi shumë energji dhe kur i duhej freskia në finalizim… mungonte kthjelltësia dhe saktësia.

-Trajneri pohoi para ndeshjes se ekipi i ka përgatitur penalltitë, por nga mënyra se si u gjuajt dhe radha u la të kuptohej se kjo nuk rezulton të ketë qenë e punuar drejt.

-Partizani në ndeshjen e kthimit ndaj Saburtalos ishte një çorganizim i organizuar, por pati edhe disa pika që duhen vlerësuar. Portieri Aldo Teqja tregoi siguri në lojë dhe bëri pjesën e tij te penalltitë. Hyrja e Telushit i dha frymë, grintë dhe rrezikshmëri ekipit, por aktivizimi i tij erdhi vonë. Antanaskovski dhe Rrapaj treguan shumë gjatë ndeshjes, por vlonjati duhet të ndahet më shpejt nga topi që të jetë vërtetë efikas.Nga ndërrimet te gjendja fizike, ja ku çaluan “demat”.

Arena e Lajmit


Loading…

Nga ndërrimet te gjendja fizike, ja ku çaluan “demat” e Partizanit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook