EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri i Zrinjskit që ka luajtur për Tiranën zbërthen rivalët në Ligën e Konferencës: Shanse të barabarta, por kujdes nga kapiteni

Mlladen Zizoviç 11 vite më parë vishte fanellën e Tiranës dhe ndonëse nuk la shumë gjurmë, ai sot nuk kursehet që të “orientojë” bardheblutë se çfarë i pret kundër Zrinjski Mostarit në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Ish-mesfushori boshnjak punoi si trajner për dy vite me skuadrën e Zrinjskit dhe nëpërmjet intervistës ekskluzive për “Panorama Sport”, ai “këshillon” Tiranën të bëjë kujdes kundër kampionëve të Bosnjës.

zizovic

“E njoh Zrinjskin. Kanë shumë karakter dhe janë të rrezikshëm në fushën e tyre. Kanë edhe një sulmues si Nemanja Bilbja që bën diferencën”, thotë ai për gazetën. Nga Tirana nuk u nda shumë mirë (probleme me pagat), por nuk e mohon se mund të kthehet në Shqipëri në të ardhmen si trajner.

Kush është Mostar Zrinjski? Na zbuloni pak më tepër për këtë klub?
Zrinjski është klubi më i titulluar i Bosnjë-Hercegovinës, fitues i 7 kampionateve, klub që përveç vitit të kaluar, është pjesëmarrës edhe në garat europiane. Ata kanë tifozë shumë besnikë dhe është një klub që dëshiron gjithmonë majat.

Ju keni qenë trajner i Zrinjski një vit e gjysmë përpara dhe lojtar i Tiranës në 2011-ën. Çfarë kanë të përbashkët dhe cilat janë diferencat e dy ekipeve?
Këto dy klube kanë shumë të përbashkëta, sepse janë klubet që në vendet repsektive kanë më shumë tituj. Janë skuadra që nuk pranojnë të jenë kurrë në nivel mesatar dhe janë nën presion të vazhdueshëm nga opinioni publik dhe nga tifozët, pasi ndaj tyre ka gjithnjë pritshmëri të larta.

Cilat janë pikat më të forta të Zrinjskit?
Forca e madhe e Zrinjskit është faktori fushë dhe tifozët. Sezonin e kaluar ata bënë gjëra të mrekullueshme, sepse përveçse grumbulluan shumë pikë, fituan edhe shumë vetëbesim. Ndërkohë, lojtari më i rrezikshëm, nëse flasim për individë të veçantë, është sigurisht Nemanja Bilbja, i cili ka shënuar mbi 30 gola sezonin e kaluar.

A e keni ndjekur Tiranën në Champions League kundër Dudelanzhit? Po gjatë këtyre viteve të fundit?
U interesova menjëherë për rezultatin dhe më pas pashë përmbledhjen e ndeshjes. Ashtu siç pritej, Tirana ka qenë dominuese, sidomos në pjesën e parë, por më pas ka gabuar.

Sa shanse ka secili ekip për ta kaluar këtë raund dhe pse?
Mendoj se Zrinjski do të kishte një avantazh nëse ndeshjen e parë do ta luante në shtëpi. Në të kundërt, mendoj se shanset janë të barabarta.

zizovic

Ndeshja e parë luhet në Tiranë, por pse mendoni se do të ishte avantazh për Zrinjskin nëse do të luante në fushën e tij?
Sepse në fushën e tij në Mostar, Zrinjski është dominues. Ata kanë një ekip me shumë eksperiencë, që di të marrë rezultatin që dëshiron në disa forma dhe kanë edhe një lojtar si Bilbja, që në fushën e tij është fenomenal.

Kush është lojtari i Zrinjskit që Tirana duhet t’i ruhet?
Nemanja Bilbja.

A ju kanë pyetur nga Zrinjski për Tiranën?
Jo.

A do të vini në Shqipëri për të ndjekur ndeshjen?
Jo, do ta shoh në TV.

Kur përmendet Tirana, cila është gjëja e parë që vjen në mendje?
Eksperiencë e bukur, miqësi të këndshme, klimë e shkëlqyer dhe njerëz të qeshur dhe të gëzuar.

Folët vetëm për njerëzit dhe qytetin, po ekipi?
Kishim një ekip shumë të mirë. Muka, Lila, Lika, Osmani, Pejiç, Gvozdenoviç, Karabeci, Sina, Balaj, Dushku…

Nga emrat që përmendet është edhe Osmani, që sot është bërë drejtor i klubit…
Po, e di.

Ju ka telefonuar për t’ju marrë ndonjë informacion?
Jo, nuk më ka telefonuar askush.

Kur ikët patët disa problema me rrogat…
Po, pata një problem me klubin për pagat.

Dikur dinit pak shqip, a e kujtoni ende gjuhën tonë?
Po, madje disa gjëra ndonjëherë i përdor edhe sot… Shumë mirë (qesh)

Çfarë bën momentalisht Mladen Zizoviç?
Tani jam me pushime, pas 5 vitesh e çova Radnikun nga Bjelina në Ligën e Europës, kurse Zrinjskin në raundin e 3-të të Ligës së Europës. Na eliminoi Apoeli pas barazimit 2-2. Shkoi me penallti dhe u eliminuam 4-3. Kam qenë edhe te Sloboda Tuzla, ku unë punova 5 muaj. Tani jam i lirë.

Nëse do t’ju vinte një ofertë për të trajnuar në Shqipëri, do të vinit?
Pse jo, nëse është ofertë e mirë…

ADELA MERKO – Arena e Lajmit


Loading…

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri i Zrinjskit që ka luajtur për Tiranën zbërthen rivalët në Ligën e Konferencës: Shanse të barabarta, por kujdes nga kapiteni

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook