Kristjan Asllani ka nisur në mënyrë të shkëlqyer karrierën e tij te Interi, që mundi konkurrencën e Milanit për të firmosur me talentin shqiptar. Por ndërkohë, në garë mund të ishte edhe Juventusi nëse Masimiliano Alegri do të kishte ndjekur këshillën e Xhovani Galeones, ish-trajnerit i cili njihet si “mësuesi” i teknikut aktual të bardhezinjve.
Ka qenë vetë Galeone ai që ka zbuluar gjithçka në një intervistë për “La Gazzetta Dello Sport”, duke shpjeguar se pa përforcimet që i kishte sugjeruar Alegrit, Juventusi i tij rrezikonte që të mos hynte në zonën Champions në fund të këtij edicioni.
“A e kam këshilluar? Po, por nuk ma vë veshin. E kisha këshilluar për tre lojtarë: Kulibali, Asllani dhe Milinkoviç-Saviç. Njëri kushtonte shumë, tjetrin e mori Interi, të tretin nuk e di. Në realitet nuk e di se sa ka në dorë Alegri kur flitet për merkato. Duhet të ketë, pasi në fund fajet do të bien gjithmonë mbi të.
Nëse merkato do të mbyllej sot, Juventusi do të kishte vështirësi që të arrinte në zonën e Ligës së Kampioneve. Vitin e kaluar Maks bëri një mrekulli për të arritur objektivin. Për momentin e shoh mes vendit të katërt dhe të pestë. Interi është i shkëputur, pastaj Milan e Napoli, ndërsa nuk do të nënvlerësoja Romën”, tha Galeone.
Arena e Lajmit
Loading…