Skënderbeu fillon zyrtarisht përgatitjet në terren.
Bardhekuqtë kanë nisur dje fazën përgatitore nga Korça pas muajsh pushimi dhe startojnë kështu rrugëtimin drejt objektivit final që është rikthimi në elitë.
Në daljen e parë zyrtare për sezonin e ri ajo që binte në sy ishte prania e disa prej afrimeve të reja, mungesa e shumë lojtarëve dhe mbi të gjitha lojtarë të rinj që vinin nga akademia dhe janë bërë pjesë e grupit nën drejtimin e Memellit.
Risia mes 17 lojtarëve ka qenë afrimi i fundit i bardhekuqve.
Bëhet fjalë për Ardian Ramadanin, sulmuesin 23- vjeçar që ka luajtur gjatë gjithë kohës në kampionatin U-21 në Holandë me ekipe si Almere City, prej nga ka dalë edhe si lojtar, dhe Den Bosh.
Por gjithsesi, ajo që është më kryesorja, mbetet fakti që merkatoja e Skënderbeut nuk është mbyllur këtu.
PLANI I PRESIDENTIT
I pranishëm në daljen e parë zyrtare, presidenti i bardhekuqve, Ardjan Takaj, është shprehur se merkatoja nuk ka përfunduar, por këto ditë të para do të shërbejnë si etalon matës për të parë se deri ku është ndërtuar grupi dhe ku Memelli ka nevojë për afrime të tjera.
“Është dalja e parë në fakt dhe do të mundohemi të jemi sa më të vëmendshëm në këto ditë të para. Do të shohim hap pas hapi se çfarë i duhet ekipit.
Presim të vijnë të gjithë lojtarët pasi kemi mungesa normalisht dhe më pas do të ulemi të shohim se ku do të duhet të bëjmë goditje të tjera.
Merkatoja nuk është mbyllur, por tani vjen pjesa cilësore”, theksoi shkurtimisht Ardjan Takaj.
LOJTARËT QË PRITEN
Pas prezantimit me lojtarët, trajneri e përqendroi punën te fusha, atje ku ka kërkuar që në momentin e parë përqendrim dhe impenjim maksimal të të tijve.
Me 17 lojtarë ka nisur faza përgatitore e Skënderbeut, ndërkohë që nga klubi mësohet se lojtarët afrikanë mbërrijnë rreth datës 5 gusht, ndërsa presin ende bashkimin me grupin të Zguros dhe Carkanjit i cili zyrtarisht mund të quhet futbollist i Skënderbeut.
– Arena e Lajmit
Loading…