Dinamo mbetet një kantier i hapur ndërtimi.
Klubi deri tani ka zyrtarizuar vetëm largimin e katër futbollistëve dhe emërimin e trajnerit Nevil Dede, por sigurisht nuk janë këto zhvillimet e vetme në kamp.
Të tjerë lojtarë mund të quhen të larguar, siç është rasti i Besir Demirit dhe Edis Maliqit, ndërkohë që priten edhe afrime të tjera, pas atyre të Asion Dajës, Diksonit Eçe Idakvos dhe Taulant Markut.
KAPITENI – Kapiteni i ri i Dinamos do të jetë mbrojtësi Eni Imami. Edhe në këtë rast klubi nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar, por gazeta mëson se do të gradohet 29-vjeçari, i cili ka arritur akordin me klubin për të vazhduar edhe sezonin e ardhshëm me kryeqytetasit.
Mbrojtësi e ka veshur fanellën e kësaj skuadre që në fillimet e karrierës së tij, ndërsa sezonin e kaluar ai kishte statusin e zv.kapiten.
Vjet shiritin e mbajti Agim Ibraimi, por tani ai kalon në krahun e një prej lojtarëve më me përvojë në ekip.
Dy zëvendëskapitenët nuk dihet ende se cilët do të jenë, por do të zbulohet në vazhdim.
MBROJTJA – Pas mbylljes së sezonit, nga blutë u larguan disa lojtarë të prapavijës: Sofranak, Isaevski dhe Siljanovski. Së fundi ka ndodhur e njëjta gjë edhe me mbrojtësin e djathtë Edis Maliqi, si dhe me Besir Demirin, i cili luan në të majtë të mbrojtjes.
Në këto kushte, trajneri Nevil Dede duhet të stabilizojë repartin e prapavijës, ku janë afruar Dikson dhe i riu Aurel Marku.
Në testin e parë me Tërbunin, që kishte karakter seleksionues, ai aktivizoi Imamin dhe Mijën në qendër dhe Demirin e Fetishajn në krahë.
Demiri iku dhe vendin e tij në të majtë e mori Prodani në miqësoren me Bylisin. Në këtë ndeshje Dede preferoi Imamin dhe Diksonin në qendër, kurse në të djathtë Alcanin.
Përpara është faza përgatitore e Pogradecit dhe shumë miqësore të tjera, ku stafi teknik i bluve do të fiksojë edhe 4-shen titullare të mbrojtjes. Për momentin, të sigurt duken Imami dhe Prodani.
Blutë kanë pësuar 6 gola në 2 miqësoret e deritanishme, që diçka tregojnë në lidhje me problematikën e fazës defensive të mbrojtjes.
MESFUSHA-SULMI – Për mesfushën, trajneri Dede mund të bazohet te dy “ekspertë” si Lilaj dhe Daja në qendër. Alternativa janë dy të rinjtë Përloshi dhe Laho. Në krahë mund të luajnë Denison në të majtë dhe Bardhi në të djathtë.
Diogo është një alternativë për në krah apo edhe për sulmuesit kryesorë. Në sulm, në mungesë të Rexhionaldos dhe Çinedusë, deri tani kanë luajtur i riu Daija dhe Marku.
Dinamo pret edhe një sulmues dhe siç ka thënë edhe trajneri Nevil Dede, shpreson të qëllojë në shenjë në këtë repart.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
Loading…