Skënderbeu e ka pran uar tashmë rënien. E lehtë nuk ishte, por e kanë kapërdirë. Klubi po planifikon ringritjen e menjëhershme dhe që kjo të ndodhë, kanë vetëm një qëllim: të jenë ata ekipi që do të diktojë Kategorinë e Parë. Këtë e kupton më së miri nga fjalët e Migen Memellit, i cili e ka marrë përsipër këtë mision.
Numri një i pankinës korçare ndien një lloj detyrimi ndaj skuadrës dhe qytetit, kështu që vendosi që t’i thoshte “po” ofertës së presidentit. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri na rrëfen planin që ka për transformimin e grupit dhe punë do të ketë boll. Së pari, kërkon të shndërrojë manovrën dhe së dyti mentalitetin.
“Nuk mund ta quaj ‘peng’ rikthimin tim në Korçë, do thosha më mirë është një lloj detyrimi karshi skuadrës dhe qytetit. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe skuadra. Na takon neve që ta çojmë këtë klub aty ku e ka vendin. Të gjithë do bëhemi bashkë për këtë qëllim. Këtu jemi për t’i bërë gjërat më mirë dhe ngjitur në elitën e futbollit shqiptar. Pas atij suksesi të arritur në dhjetë vitet e hegjemonisë, kur Skënderbeu krijoi një dominancë të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar dhe jo vetëm, askush nuk e mendonte që kjo do të zbehej. Por kjo ndodhi pak e nga pak me marrjen e dënimit. Dhe në këtë sistem, duke mos e marrë dot pas ‘feedback’- un, gjërat vështirësohen. Kjo bëri që në dy vitet e fundit, të ndërtonim një grup me elementë të rinj. Fokusi u kthye tërësisht tek e ardhmja”, u shpreh si fillim trajneri i korçarëve.
Më pas ai shtoi: “Sezoni i Kategorisë së Parë nuk është i lehtë. Por ne duhet të përqendrohemi te vetja. Pres një mentalitet ndryshe, një ekip që ka besim te vetja dhe njeh vlerat që mbart. Përpos kësaj, pretendoj të ndryshoj manovrën. Ajo do të jetë sulmuese. Ne do të mundohemi të krijojmë Skënderbe solid dhe të fortë, pasi vetëm kështu do jemi ajo skuadra me një target serioz dhe brenda objektiveve. Unë kam bindjen se me maksimumin e mundshëm që do të japim si grup, do të rikthehemi shumë shpejt në Kategorinë Superiore”, përfundoi Migen Memelli.
– Arena e Lajmit
Loading…