Vllaznia luan të en jten në Rumani sfidën e kthimit ndaj Universitatea Kraiovës, teksa rezultati 1-1 i ndeshjes së parë në “Loro Boriçi” ka lënë gjithçka të hapur sa i përket kualifikimit.
Lëvizjet që bëri trajneri Mirel Josa në fillimin e pjesë së dytë në Shkodër rezultuan shumë efikase, me kuqeblutë që barazuan menjëherë rezultatin dhe protagonistë të aksionit u bënë të sapofuturit në fushë Herald Marku dhe Ardit Hoxhaj. Por, një lojë mjaft të mirë zhvilloi edhe qendërsulmuesi Kaina Nunjesh, që zëvendësoi Ante Aralicën në momentin kur ekipi barazoi shifrat.
Por a do të ndryshojë Josa formacionin në ndeshjen e kthimit? Sipas të gjitha gjasave, trajneri do t’u besojë lojtarëve që ndryshuan lojën në pjesën e dytë ndaj Universitateas.
Dilema më e madhe duket në qendër të sulmit, aty ku forma jo e mirë e Aralicës ka shqetësuar jo pak Josën. Trajneri pret më shumë nga shtatlarti kroat, që në ndeshjen e parë humbi thuajse çdo duel me mbrojtësit rumunë dhe nuk u shfaq asnjëherë i rrezikshëm para portës.
Në seancën e së shtunës dhe të dielës, trajneri nuk ka lënë shumë të kuptohet sa i përket zgjedhjeve që do të bëjë të enjten, por me shumë mundësi sot, që është seanca e fundit në Shkodër para udhëtimit drejt Rumanisë, Josa do të fokusohet te ana taktike.
Megjithatë, në krahasim me formacionin e ndeshjes së parë, dukshëm rrezikojnë të ulen tashmë në stol emra si Elvedin Heriç, Arsid Kruja dhe Ante Aralica.
TITULLARËT – Në portë do të luajë si zakonisht malazezi Bojan Zogoviç, i cili e shpëtoi disa herë Vllazninë në ndeshjen e parë. Edhe mbrojtja nuk do të ndryshojë, me Josën që pritet t’i japë sërish besim kroatit Marko Juriç, i cili shkaktoi një penallti në ndeshjen debutuese.
Me Juriç dhe Bulatoviç në qendër, reparti i prapavijës plotësohet nga krahët me të paprekshmit Gurishta në të djathtë dhe Hakaj në të majtë. Ndërsa në mesfushë të sigurt duken Lorik Boshnjaku dhe Fjoart Jonuzi.
Me skemën 4-3-3, Josa ka dilema tashmë për lojtarin e tretë që do të jetë në mesfushë, aty ku Heriç dhe Marku luftojnë për një vend. Ky i fundit duket më i avantazhuar për ta nisur nga minuta e parë. Ndërsa në sulm do të ketë dy ndryshime, ku autori i golit Hoxhaj dhe Kaina do të jenë titullarë, ndërsa Çoba konfirmohet në krahun e majtë.
ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit
Loading…