E kishte rrogën sa buxheti i kurbinasve sot. Babatunde, një milioner te Laçi: Shkojmë në grupe, ju tregoj duelin me Mesin

Disa kohë më parë Majkëll Baba tunde përballej me Mesin dhe Agueron, ndërsa sot luan me moldavët e Petrokub Hinçestit. Mesfushori i Laçit ka qenë pjesë e kombëtares nigeriane në Botëror dhe është përballur me yjet argjentinas. Ka fituar miliona dollarë në Katar dhe Marok, por tani është kthyer në Europë, sepse dëshiron që të realizojë ëndrrën e tij për të luajtur në Ligën e Kampioneve. “Po, dua të realizoj ëndrrën time të vjetër dhe të luaj në Ligën e Kampioneve. Nuk jam te Laçi për para, sepse ato i kam bërë në Katar dhe në Marok. Jam këtu për të luajtur futbollin elitar”, thotë ai për portalin “moldfootball.com”.

BABATUNDE

Majkëll si përfunduat te Laçi? E dinim që diku do të shfaqeshit, por që të shkonit në Shqipërinë e varfër, këtë nuk e prisnim…

Kjo është jeta, ky është futbolli. Dje isha diku, sot jam këtu, nesër askush nuk e di ku do të jemi…

Pse duhet që një futbollist i cili ka luajtur në Katarin “e artë” të zgjedhë një prej vendeve më të varfra në Europë?

Po pse jo? Çfarë problemi ka…?

Sepse buxheti i Laçit është afro 800-900 mijë euro në vit, ndërsa në Katar ju fitonit rreth 1 milion euro në sezon. Pra, fitimet tuaja vjetore kanë qenë dikur më shumë sesa buxheti vjetor i klubit ku luani… Ç’kuptim ka që të bësh kaq shumë hapa mbrapa financiarisht?

Doja vetëm që të kthehesha në Europë dhe të luaja në kompeticionet europiane. Për gjashtë vite në Katar dhe Marok unë kam fituar goxha mirë. Tani nuk mendoj më për paratë, por dua të shijoj sërish futbollin europian.

Po pse zgjodhët Laçin pra?

Kam qenë i dëmtuar. Nuk luaj futboll prej shumë kohësh. Duhet që të rigjej formën time më të mirë. Në Europë askush nuk të pret deri sa ti të kapësh formën. E kam fjalën për klubet e rëndësishme. Kanë nevojë që lojtarët t’i kenë gjithnjë gati. Shohin edhe statistikat e sezonit të fundit dhe më pas kjo për mua ishte e vështirë… Kisha oferta edhe nga Arabia Saudite, por zgjodha Europën. Laçi më kënaqi me faktin që më dha kohë që unë të fitoja formën. Por përveç kësaj luan edhe në Ligën e Konferencës. Unë ëndërroj që të shkojmë në fazën e grupeve dhe më pas të kem mundësi të marr oferta nga skuadra të mëdha.

BABATUNDE

Mendoni vërtet se mund të shkoni në grupe?

Po, pse jo. Nuk do të kisha ardhur në Shqipëri, nëse nuk do të besoja te faza e grupeve. Kam luajtur në Europa League, Conference League, Champions Leaguen afrikane, Botërorin e Klubeve, Kupën e Konfederatave dhe në Olimpiadë. Turneu i vetëm ku nuk kam luajtur dhe ëndërroj ta bëj, është Liga e Kampioneve në Europë. Dua ta dëgjoj himnin e atij kompeticioni dhe të zbres në fushë më pas. Prandaj ëndërroj që të fitoj titullin me Laçin sezonin e ardhshëm. Ose të më vijë një ofertë nga një klub që luan në Champions. Dhe po, ka qenë një periudhë kur unë kam luajtur edhe kundër Mesit, Agueros, Higuainit edhe Di Marias. Po ç’rëndësi ka kjo sot? Ne duhet të përqendrohemi te Petrokubi.

babatunde

A jeni ju ylli në fushë nesër (sot), nëse krahasoni kohën kur ju luanit në Botëror kundër Argjentinës? A e dini që ndoshta asnjë prej shokëve tuaj në skuadër, por edhe nga Petrokubi, nuk do të luajnë kurrë në Botëror…?

Po, Botërori më sjell kujtimet më të bukura në karrierë. Ka shumë futbollistë në Nigeri dhe fakti që unë isha në atë listë më bën krenar. Jo vetëm që zhvilluam ndeshje të mira në grup dhe lamë pas Iranin dhe Bosnjën, por luajtëm shkëlqyer edhe ndaj Francës.

Pasi keni luajtur kundër Mesit, si mund të frymëzohesh duke luajtur ndaj një ekipi moldav?

Ky është futbolli. Nuk mund të luash gjithnjë kundër yjeve botërorë. Ne tani duhet të përqendrohemi kundër Petrokubit.

BABATUNDE 1

Mesi është vërtet “zoti i futbollit” apo një xhuxh që nuk bën dot pa Ksavin dhe Iniestën?

Është më i miri në botë. Ne humbëm 2-3 kundër Argjentinës, por ai shënoi dy gola dhe mbajti gjithë ekipin përpara. Është unik.

Si markohet Mesi?

Shumë e vështirë. Një lojtar i rri nga pas, tjetri shpeshherë e tërheq nga fanella dhe një mesfushor që ndihmon dy mbrojtësit. Dhe prapë nuk e ndalëm dot. Ishte e vështirë. Po të mos ishte ai në fushë, Nigeria nuk humbte.

A është lojtari më i fortë kundër të cilit keni luajtur?

100 për qind. Është hyjnor. Nuk ke asnjë shans ta ndalësh, madje as me forcë. Kam luajtur edhe kundër brazilianëve të Shahktar Donjeckut, por nuk kanë lidhje me Leon.

Arena e Lajmit


E kishte rrogën sa buxheti i kurbinasve sot. Babatunde, një milioner te Laçi: Shkojmë në grupe, ju tregoj duelin me Mesin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook