Sekuestrohet një hotel dhe një restorant në Shkodër pasi dyshohet se në të janë helmuar 3 persona, një 41-vjeçare dhe djali i saj 14 vjeç, si dhe një 30-vjeçar, kamarier në këtë subjekt.
Me indicie të prokurorisë se rrethit Shkodër të mbështetur nga AKU, po bëhet bllokimi i subjektit, pasi mendohet se uji i ambalazhuar që kanë konsumuar ka qenë i kontaminuar.
Gazetari Senad Nikshiqi bën me dije për BalkanWeb se mendohet se në shishen e ujit të ketë pasur lëndë djegëse, pasi mjekët thonë se 3 personat, janë paraqitur me djegie në ezofag, dhe dyshohet se kanë konsumuar acid.
Njoftimi i policisë:
Më datë 28.12.2022, rreth orës 23:30, në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasja A. Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A. Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe shtetasi M. M., 30 vjeç (kamarier i lokalit), banues në Shkodër, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal, në Shkodër.
Shtetasja A. Z., së bashku me djalin e saj, janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.