“Kini besim te projekti im”, presidenti Takaj: Ky Skënderbe, më i shtrenjtë se i sezonit të kaluar

Pavarësisht largimeve të shumta të futbollistëve, ambiciet e Skënderbeut mbeten të mëdha edhe në Kategorinë e Parë. Edhe pse ekipi ka zbritur në një nivel tjetër nga elita e futbollit shqiptar, e sigurt është se investimet në këtë klub do të vazhdojnë.

ardjan takaj

Këtë e tregojnë më së miri afrimet e lojtarëve me eksperiencë si Elvis Prençi dhe Oltion Rapa, dhe që do të pasohen nga shumë futbollistë të tjerë cilësorë. Për momentin ekipi duket disi i boshatisur, por presidenti Takaj tashmë e ka planin e detajuar dhe të “qepur”.

DEKLARATA – Ky Skënderbe i këtij sezoni, sipas Takajt, është më i shtrenjtë se ai i një viti më parë, kur ekipi luante në Kategorinë Superiore. Një deklaratë kjo që vjen si përgjigje për t’u mbyllur gojën skeptikëve. Ka qenë vetë numri një i klubit që në bisedë e sipër gjatë seancës stërvitore, që po ndiqte nga afër, ka siguruar se Skënderbeu do të hyjë me shumë pretendime këtë kampionat.

TAKAJ

“Kini besim te projekti që ne kemi nisur. Fillimi duket i mbarë dhe po shikojmë ndërkohë të finalizojmë edhe afrime të tjera që janë në rrugë e sipër drejt përfundimit të marrëveshjes. Të jeni të bindur se nuk do të jemi thjesht pjesëmarrës në këtë sezon, por objektivat i kemi të qartë. Ngjitja në elitë do të jetë synimi i vetëm i yni. Jo më kot po punojmë, dhe Skënderbeu i këtij sezoni, që ju po shihni, është më i shtrenjtë se ai i Superiores së një viti më parë. Për këtë të jeni të sigurt”, kanë qenë fjalët e presidentit të Skënderbeut që jepnin siguri.

AFRIMET- Në kushte të tilla, veç afrimeve të deritanishme, duket se do të ketë edhe të tjera që shumë shpejt do të finalizohen. Afrimet, nga sa bëhet me dije nga burime në klub, do të jenë të gjitha nga Superiorja. Lojtarët do të jenë cilësorë dhe me një eksperiencë të caktuar në elitën e futbollit shqiptar.

Të njëjtat burime bënë me dije se është duke u pritur përfundimi i impenjimeve të klubeve në Europë, për të parë mundësinë e afrimit të ndonjë elementi që do të kishte rol kyç te Skënderbeu. Me shumë mundësi java e parë e gushtit do të flasë më qartë rreth grupit që Takaj pretendon të ndërtojë dhe elementëve që do të afrohen në ekip. Ndërkohë, bardhekuqtë vazhdojnë përgatitjet intensive që prej 20 korrikut dhe në ditët në vijim mund të zhvillojë disa ndeshje miqësore, me Teutën që po bën fazën përgatitore në Korçë dhe Partizanin që po vazhdon përgatitjet në Pogradec.

– Arena e Lajmit


“Kini besim te projekti im”, presidenti Takaj: Ky Skënderbe, më i shtrenjtë se i sezonit të kaluar

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook