Tomori: Milani magjik, për titullin lyej përsëri flokët!

Oluvafikaiomi Oluvadamilola Tomori. Për shokët thjesht “Fik” e për milanistët kolonë e titullit. Djali i parë i këtij Milani modern është një mbrojtës anglez që e mësoi italishten ashtu si pak të tjerë ia kanë dalë ndër vite. 23 vjeç, por shumë inteligjent, ai është rrëfyer në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.

TOMORI

Vjet ishit ndër të parët që folët për titullin…

Po, sepse e dija se sa të fortë ishim e që kishim shanse për të triumfuar. Më vjen mirë që doli fjala ime.

Kur e kuptuat se mund të fitonit titullin?

Vetëm pas golit të tretë të Kesit kundër Sasuolos në javën e fundit. Sigurisht, gjatë kampionatit kishim bërë ndeshje të mira si ato kundër Lacios, Fiorentinës apo Atalantës. Pas tyre i thamë njëri-tjetrit se mund të mbanim ritmin, ndeshje pas ndeshjeje e minutë pas minute. Luftuam gjithmonë e deri në fund. Kur Frenku trefishoi shifrat, mund ta shijoja gëzimin.

Çfarë Milani duhet të presim sivjet?

Jemi shumë të lumtur dhe entuziastë si kampionë në fuqi, por sezoni nis me 0 pikë e jo me 86. Sivjet do të duhet të luftojmë më fort sepse jemi kampionë e të gjithë do të duan të luajnë sa më mirë kundër nesh për të na ndalur.

Kompanitë e basteve japin Interin dhe Juven si favorite…

Edhe vjet kështu thoshin, por e dimë të gjithë se si përfundoi.

Sa shanse keni për titullin?

Besimi nuk na mungon. Do të duhet të fokusohemi në lojën tonë sepse e dimë se sa të fortë jemi. I kemi të gjitha mundësitë për të treguar edhe më shumë vlera e mund të fitojmë sërish siç bëmë vjet.

Pioli thotë se ndiheni të gjithë më të fortë. E vërtetë?

Po, dhe kemi shumë besim të njëritjetri. Kemi të gjithë ndjesinë se mund të bëjmë diçka speciale. Titulli ishte një arritje e madhe, por presioni tani është ndryshe e mund të na shtyjë të bëjmë më tepër. Po punojmë më fort se një vit më parë pikërisht sepse duam të përsëritemi.

Ju tremb rikthimi i Romelu Lukakut te Interi?

Ndeshjen time të parë si kuqezi e kam luajtur pikërisht përballë tij. E respektoj, por frikë nuk kam aspak. Edhe kur të përballemi gjatë sezonit, do të jetë njësoj. Interi është i fortë, por ne nuk jemi më pak. Të gjithë e dimë se sa special është derbi.

Cili është dallimi mes markimit të Lukakut dhe Vlahoviçit?

Një kundër një është e ndërlikuar sepse janë të fortë e të shpejtë pa harruar se kanë shumë cilësi të tjera. Rëndësi ka që të mos e humbësh përqendrimin e të kesh kujdes në çdo lëvizje që bëjnë pa bërë dallim nëse sulmojnë hapësirën apo përgatiten të godasin. Pastaj në Itali nuk mbrohet një kundër një, por si ekip. Lëvizjet bëhen së bashku, ndërkohë në Angli ishte ndryshe.

Si ju janë dukur Adli dhe Origi?

Divoku është i fortë, i shpejtë dhe di të shënojë në shumë mënyrë. Do të jetë një përforcim cilësor për ne. Edhe Adli është i fortë e ka saktësi. Duhet të mësojë shumë gjëra për mënyrën se si luajmë, por dallohet që ka cilësi që në lëvizjet që bën pa top.

Çfarë ju thotë Menja gjatë ndeshjeve?

Çfarë nuk thotë. O Zot, sa shumë që flet. Ka personalitet dhe u flet të gjithëve në fakt. Është një portier i madh dhe na jep siguri të gjithëve. Ndihemi të sigurt me të në portë.

Sa ndikuan te titulli fjalimet e Ibrës?

Ai ka një personalitet të madh dhe zëri i tij dëgjohej edhe kur nuk luante. Na përsëriste gjithmonë që duhet të ishim si qen të uritur. Vendi i parë nuk kishte vlerë nëse nuk ishte në javën e fundit. Me një lojtar të tillë në grup shpirti i skuadrës vetëm mund të rritet.

Çfarë cilësie do të donit nga Barezi, Nesta dhe Maldini?

Ashtu si unë edhe Barezi nuk ishte shumë i gjatë. Pozicionimi me trup në fushë dhe udhëheqja e repartit janë ato që do të doja prej tij. Nesta e Maldini kishin personalitet dhe lexonin çdo lëvizje në fushë.

Keni ndonjë kujtim lidhur me Milanin në Champions?

Jam mbrojtës e kam parë videot e të gjithëve. Nesta, Maldini, Stam. Shumë të fortë të gjithë. E kujtoj mirë finalen e Athinës, por edhe Stambollin. Kam parë edhe fitoren e Mançesterit në “Youtube”. Milani aktual ka shumë të rinj, por me përvojën e grumbulluar do të tentojmë të përsërisim bëmat e atyre legjendave.

Cili është mbrojtësi që keni admiruar më tepër?

Maldini. Për më tepër që e kam edhe shef.

Jeni gati të rinovoni me Milanin?

Po, sepse më pëlqen gjithçka: skuadra, qyteti, mbrëmjet në Champions. Për momentin mendoj të stërvitem pasi besoj se do të kem kohë për të folur për aspektet jashtë fushe.

Po nga Italia çfarë ju pëlqen më tepër?

Tifozët dhe pasioni i tyre për ndeshjet në Milano apo në transfertë. Jam tip i qetë dhe i ngadaltë në përditshmëri. Italia është si unë. Milanoja ka një ritëm më të ulët se Londra dhe më pëlqen ky vakt.

Si ka qenë kjo verë për ju?

Më e bukura e jetës sime. E kam shijuar si kampion Italie.

Po flokët përse i bëtë biondë?

Tre muaj përpara se të fitonim titullin, isha me Bakajokon. E pyeta përse i lyente. Nuk më dha një arsye. Atë ditë i premtova se do t’i lyeja edhe unë nëse fitonim titullin.

Jeni gati për një ngjyrë të re nëse Milani fiton përsëri titullin?

Me qetësi. Të shohim… (qesh).

Arena e Lajmit


Tomori: Milani magjik, për titullin lyej përsëri flokët!

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook