“Do shënoj 30 gola”, Vlahoviç: Këtu te Juvja më kanë frikë, askush s’bën shaka me mua

Fytyra prej djali të mbarë stonon disi në atë fizik prej roboti muskuloz, por mbi të gjitha ajo që godet është edukata. Dushan Vlahoviç përsërit fjalën “faleminderit” dhjetëra herë, i dhuron buzëqeshje dhe autografe çdokujt që i del përpara dhe që mban të veshur bluzën e tij.

okxfb6ktuqhf42p5jl25

U pagua 80 milionë euro, por duket qartë se ky djalë 22-vjeçar e ka kokën mbi shpatulla, është i përulur, por mbi të gjitha është i uritur si një përbindësh, aq sa titulli ideal pas intervistës që dha për “Gazzetta dello Sport” do të kishte qenë “I lindur për të fituar”. Dhe mbi të gjitha, takimi me Juventusin ka qenë i shkruar në fatin e tij, siç e konfirmon vetë Dushan.

Vlahoviç, si shkojnë sfidat pas stërvitjes me Alegrin?

Shumë mirë. Me trajnerin luajmë gjithmonë, është një atmosferë e bukur. Këtë e bënim edhe në sezonin e kaluar. Unë e sfidoj me qejf, sepse në fund fitoj gjithmonë unë.

Alegri tha se nga ju pret të paktën 30 gola, por nuk kërkon që të dilni golashënues…

E kam lexuar statistikën e 12 viteve të fundit, se ai që del kryegolashënues sheh skuadrën e tij që të mos e fitojë kampionatin, por ka gjithmonë një herë të parë. Dhe mbi të gjitha, objektivat e skuadrës vijnë gjithmonë përpara atyre personalë. Të paktën unë zgjedh që të fitojë Juvja dhe jo unë, ndonëse nëse arrij të shënoj 30 gola dhe të shpallem gjithashtu kampion Italie, mendoj se do të ishte qershia mbi tortë.

Ju kërkonin shumë klube edhe jashtë Italisë, ku ndoshta do të ishit paguar personalisht edhe më shumë. Na thoni, pse zgjodhët Juventusin, për më shumë në një moment kur bardhezinjtë ishin në vështirësi të dukshme?

Nuk ishte një zgjedhje e vështirë, pasi Juventusi është një klub që kërkon lavdi, shumë pranë idesë sime të të punuarit. Këtu janë të gjithë gati të luftojnë dhe të mos dorëzohen deri në fund. Edhe atëherë kur duket se gjithçka është humbur, këtu zgjohen të gjithë dhe kështu jam edhe unë. Prandaj, të përfaqësoj Juven në Itali është një kënaqësi për mua.

Ka një moment kur Juventusi u bë pjesë e jetës suaj?

I vogël, kur isha në Serbi, ndiqej shumë futbolli italian. Flitej për Juven sepse fitonte gjithmonë dhe në futboll vetëm fituesi mbahet mend. Kjo gjë mbeti brenda meje që fëmijë, kur realisht e kam adhuruar Juven e Ibrahimoviçit, Trezegesë dhe Kanavaros. Jam rritur me objektivin për të qenë një fitues dhe do të bëj gjithçka që të mbetem pjesë e historisë së Juves. Do të ishte një nder i madh për mua, pasi jam këtu për t’u shtyrë edhe përtej limiteve të mia.

Ka ndonjë gol që ka shënuar adoleshencën tuaj?

Jam i lidhur me golin e parë që kam parë direkt në stadium. Isha me gjyshin tim, luante Partizani i Beogradit për një ndeshje kualifikuese në Champions. Isha 6-7 vjeç dhe nuk e kam harruar kurrë atë moment, ato ndjesi.

Pogba ju ka pagëzuar që tani “Dudu”. Si është të stërvitesh me të?

Polit i pëlqen që t’u vërë pseudonime të gjithëve. Unë e njihja vetëm nga televizori, por pati menjëherë një impakt të madh në skuadër. Është kampion bote në fuqi dhe me Juven ka fituar gjithçka në Itali, përveçse Ligën e Europës me Mançester Junajtid. Është bukur dhe qetësuese të kesh në skuadër një si Pogba.

Po nga Di Maria, sa asiste prisni sezonin e ardhshëm?

Kur mësova se do të vinte, ishte pikërisht kjo gjë që mendova: “Sa gola dhe asiste mund të arrijmë së bashku”. Është e vërtetë që ai do të punojë shumë për të më shërbyer mua, por edhe unë dua që ta asistoj, në mënyrë që edhe ai të shënojë. Angel luan prej shumë kohësh në nivelet më të larta dhe është pa dyshim një prej sulmuesve anësorë më të mirë të 20 viteve të fundit.

Kudo që ka shkuar, ka lënë gjurmën e tij dhe realisht sa herë e kam ndjekur nga televizori, kam dashur që të luaj me një si ai. Me Di Marian duhet të njihemi edhe pak më shumë, të kuptohemi më tepër në fushë, ndonëse jam i sigurt se për një si Angel nuk do të jetë aspak e vështirë. Ai ka luajtur përkrah sulmuesve më të fortë të botës, ndonëse që tani kemi nisur të komunikojmë dhe e pyes shpesh se si kërkon që të lëviz, për të qenë gati dhe t’ia lehtësoj edhe atij punën.

Si e jetoni krahasimin që ju bëjnë me Levandovskin?

Ai ka bërë një det me gola dhe personalisht nuk më pëlqen që të më krahasojnë me asnjë. Unë jam vetëm në fillimet e mia dhe ideja ime është ajo që të arrij shifrat e Levës dhe të kujtdo tjetër. Kam lindur për të shënuar dhe për atë jetoj.

Sa kohë i dedikoni kurimit të fizikut jashtë fushe?

Jemi në një epokë ku çdo detaj është i rëndësishëm dhe unë e kujtoj veten time 24 orë në 24, 7 ditë nga 7 në javë. Detyra ime është vetëm që të pushoj siç duhet, të ha mirë, të punoj në shtëpi, në palestër, qoftë edhe kur jam në shtëpi. Fundja, vetëm kështu mund të shkosh në nivele të larta.

Në Serbi ndiheni një idhull, ashtu sikurse Xhokoviç?

Jo, nuk e konsideroj veten aspak si ai, pasi Xhokoviç është një pikë referimi për të gjithë. Nuk e njoh personalisht, por shpesh kemi komunikuar së bashku dhe më ka përgëzuar që kalova te Juventusi. Është një model për t’u ndjekur, pasi ka një forcë psikologjike të çmendur. Më parë edhe unë luaja tenis dhe, pse jo, nëse Xhokoviç mendon që të më bëjë vizitë në Torino, mund ta bëjmë ndonjë sfidë së bashku.

Çfarë do t’i dhuroni vetes, nëse arrini kuotën 30 gola sezonalë?

Asgjë. Për mua gëzimi më i madh është që t’i arrij dhe të bëj Juven që të fitojë. Kjo është e vetmja gjë që dua, pasi vetëm trofetë mbeten. Të tjerat harrohen.

Shakatë në grumbullim i bëni apo i pësoni?

As nuk i bëj, as nuk i pësoj, nëse dikush nuk më provokon. Siç e pësoi Kuadrado… Kur erdha në janar te Juventusi, vendosi që të më fshihte telefonin, teksa po hanim drekën dhe më bëri që ta gjeja në një qese shumë orë më vonë. Nuk i thashë asgjë, por pas 3 muajsh u hakmora edhe unë duke i fshehur telefonin për 24 orë të plota dhe që atëherë nuk provoi më që të më bënte asnjë shaka.

Ka të drejtë Bonuçi kur thotë se ju duhet të gjeni ekuilibër mes adrenalinës për të shënuar dhe dëshpërimit kur nuk bëni gol?

Është e vërtetë, ka të drejtë, por jam ende shumë i ri dhe pikërisht mbi këta ekuilibra punoj. Dëshira për të shënuar është e frikshme, por nëse nuk ia arrij, më duket sikur bota më bie mbi kokë.

Ka një mbrojtës që nuk do të donit ta gjenit përballë?

Shumë më kanë vënë në vështirësi, por asnjëri në veçanti.

Bremer ndërkohë mbajmë mend se sezonin e kaluar ju bëri që të vuanit shumë, në derbi?

Është madhështor dhe tani është një kënaqësi që e kemi te Juvja. Për mua është mbrojtësi më i fortë në Serinë A.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – Arena e Lajmit


“Do shënoj 30 gola”, Vlahoviç: Këtu te Juvja më kanë frikë, askush s’bën shaka me mua

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook