Orges Shehi nuk e ka kapërdirë lehtë eliminimin nga Europa pa asnjë fitore.
Tirana pagoi disa gabime naive në pësimin e golave, por edhe shpërdoroi shumë. Pas ndeshjes së djeshme ai ka evituar kritikat apo qëndrimet e forta ndaj skuadrës.
Përkundrazi, ka marrë vetë gjithçka përsipër, duke u dhënë zemër lojtarëve.
Në dhomat e zhveshjeve Shehi ka mbajtur një qëndrim të lartë dhe ka marrë përgjegjësitë mbi vete, teksa u ka folur lojtarëve menjëherë pas humbjes.
“Djem, dua ta mbani kokën lart. Nuk keni gabuar ju, kam gabuar unë. Unë e di që ju kishit shumë dëshirë të shkonim më larg dhe të bënim më mirë në këtë aventurë, por nuk qe e thënë.
Megjithatë, forca e një skuadre dhe forca jonë ka qenë gjithnjë mënyra se si i menaxhojmë këto momente të vështira. Ju lumshin këmbët për atë që keni treguar në fushë.
E përsëris, përgjegjësia është imja. Jam unë fajtori dhe mund të kem gabuar unë. Lojtarët mos m’i godisni.
Futbolli është lojë gabimesh dhe duhet të pranojmë. Nuk mund të kthejmë asgjë pas”, ka thënë Shehi në dhomat e zhveshjeve mëson “Panorama Sport”.
PËRQAFIMI – Ndoshta i ndikuar nga fytyrat e pezmatuara të lojtarëve ose ndoshta sepse disa prej tyre e kanë përjetuar shumë eliminimin në Europë, e kanë bërë Shehin të përqafojë futbollistët që kanë gabuar gjatë gjithë këtyre katër takimeve.
Po, po, një e nga një madje.
“Jepini, forca. Të gjithë e dimë se futbolli një herë të ngre dhe një herë të ul. Ju duhet ta kaloni me vendosmëri këtë. Keni të ardhmen përpara, duhet të shihni gjithnjë përpara”, mësohet t’u ketë thënë trajneri bardheblu.
STATISTIKAT – Orges Shehi është trajneri më jetëgjatë i epokës “Halili”, por jo vetëm kaq. Trajneri i bardhebluve që ka marrë skuadrën prej 27 janarit 2021, ka 555 ditë në krye të kampionëve të Shqipërisë, duke thyer rekordin e Gugash Maganit.
Shehi e drejton Tiranën prej 64 takimesh. Ai ka 36 fitore, 12 barazime dhe 15 humbje.
Golavarazhi është 112-59. Shehi e ka marrë drejtimin e ekipit në fund të janarit 2021 dhe deri tani ka qenë një nga trajnerët më të suksesshëm të bardhebluve, dhe jo vetëm në Superiore, duke risjellë titullin kampion.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit