Edmond Lutaj rikthehet të flasë pas më shumë se një viti për Flamurtarin. Nëse asokohe situata ishte për të ardhur keq, tani gjithçka ka ndryshuar. Këtë e konstaton edhe vetë ish-trajneri në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”.
Ai është optimist për të ardhmen e kuqezinjve, aq sa beson te ngjitja në elitë. E megjithatë, disa këshilla nuk ngurron t’i japë. Pret që klubi të vendosë objektiva të qartë dhe shtojë cilësinë në organikë. Një merak e ka edhe për trajnerin Dritan Resuli, ndërsa u bën thirrje drejtuesve të mos i bëjnë presion.
Profesor, u bë një kohë e gjatë që nuk keni folur për Flamurtarin. I keni ndjekur zhvillimet?
E vërtetë, u bë kohë. Megjithatë, më mirë vonë sesa kurrë. Flamurtarin patjetër që e ndjek dhe gjithashtu mundohem të jem i informuar në vija të përgjithshme për gjithë futbollin shqiptar.
Skuadra u ngjit në Kategori të Parë, por duket se do të ketë konkurrencë të madhe. Çfarë duhet të bëjnë për t’u kthyer në Superiore?
Do të jetë një sezon i vështirë, duke parë edhe konkurrencën që do këtë gara. Por njëkohësisht do të jetë një sfidë e bukur për stafin, lojtarët, sportdashësit dhe klubin. Do ketë ndeshje shumë interesante. Flamurtari është munduar të ruajë stafin dhe lojtarët e sezonit të kaluar dhe ky grup të jetë baza e ekipit. Ky veprim mendoj se është i drejtë.
Ndaj duhen dëgjuar kërkesat e stafit dhe në bashkëpunim me klubin të gjejnë ata lojtarë që e rrisin cilësinë e ekipit. Flamurtari duhet të ndërtohet për Superiore dhe jo për Kategori të Parë. Duke qenë një hap para, kjo gjë lehtëson arritjen e objektivit dhe lehtëson punën në të ardhmen. Duhet pranuar se gjetja e futbollistëve cilësorë për të kompletuar ekipin ka një koeficient vështirësie të lartë.
Idrizi ka vendosur një kod për Flamurtarin “2023”-shin, do t’ia dalin?
Pa objektiva të qartë nuk fiton dot asnjë gjë. Më pëlqen “agresiviteti” i Idrizit. Unë dëshiroj dhe besoj se Flamurtari do ringrihet në elitë. Nuk mundemi më ta shohim Flamurtarin në kategori inferiore.
Nuk shohim afrime “big”, druheni ju se nuk do të ketë ndonjë surprizë deri në fund?
Mendoj që Flamurtari ka një plan dhe duhet pritur deri në fund të merkatos para se të bëjmë bilancin.
Resuli u konfirmua në stol…
Resulin e komplimentoj për suksesin e arritur dhe e mbështes në këtë sezon të vështirë. Po ku ka gjë më të bukur që t’ia besosh ekipin një trajneri që ka ADN-në e Flamurtarit. Ai e di përgjegjësinë që ka mbi shpatulla dhe nuk ka nevojë për presion të shtuar, por ka nevojë për mbështetje nga të gjithë.
Prisnit një Flamurtar ndryshe këtë sezon?
Flamurtari do jetë shumë agresiv dhe do mundohem të vij dhe ta ndjek nga afër në ndonjë ndeshje.
A do ta shohim Lutajn te Flamurtari ndonjë ditë? E mendoni një rikthim?
Nëse Flamurtari të thërret për të kontribuar, është detyrë dhe kënaqësi për t’i shërbyer. Por duhet t’ia lemë së ardhmes.
– Arena e Lajmit