Pas tri titujve radhazi, në sezonin e kaluar Partizani i volejbollit të femrave nuk mundi të ishte pjesë e finaleve, duke mbyllur kështu një edicion pa trofe.
Por skuadra kryeqytetase kërkon menjëherë rikthimin në majën e sportit të rrjetës dhe për këtë e ka hapur merkaton me goditje shumë të rëndësishme.
Pasi zyrtarizoi disa ditë më parë nënshkrimin me Enkeleda Brahon, Partizani ka bërë një tjetër afrim të bujshëm në gjirin e tij, e këtë herë bëhet fjalë për një rikthim të madh, teksa Çezarina Xheka do të jetë pjesë e të kuqeve për sezonin 2022-2023.
Në edicionin e kaluar Xheka luajti për Tiranën, ndërsa tani rikthehet në shtëpi, aty ku për vite me radhë fitoi gjithçka me Partizanin si kapitene e ekipit.
33-vjeçarja, e cila aktivizohet në pozicionin e organizatores, do të dirigjojë kështu përsëri lojën e të kuqeve.
Me ardhjen e Xhekës, përveçse një pasueseje të shkëlqyer, Partizani rigjen edhe një lidere në parket.
Një merkato shumë aktive nga presidenti i skuadrës Rogert Huqi, ndërsa priten të tjera afrime, me të kuqet që shikohen si pretendentet kryesore për trofetë e sezonit të ri.
Tashmë pritet edhe konfirmimi në krye të skuadrës për trajnerin turk Bulent Karslioglu, ndërsa Partizani do ti nisë përgatitjet për edicionin e ri më datë 8 gusht.
ARTIN LLESHAJ – Arena e Lajmit