“Drejtësi sociale”, Tabaku për hapjen e dosjeve: Hetues e dhunues të pashpirt brenda burgjeve, sot japin intervista! Ka ardhur koha të…

D2e57a1b E70d 4648 A7b0 F15e48e1e16b

Deputetja e PD Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend foli për hapjen e dosjeve. Tabaku u shpreh se Shqipëria duhet të mësojë të vërtetën dhe të të pastrojë veten e saj nga dosjet

“Për tre dekada me radhë shoqëria jonë ka lënguar nga një katarsisi i pandodhur. Me trishtim them që ne nuk mundëm dot ti japim mësim të djeshmes. Hetues me nam e dhunues të pashpirt brenda burgjeve, sot japin intervista , e nuk i është prekur asnjë fije floku me gjithë bëmat e turpshme dhe kriminale. Me të gjitha këto pse vallë do të ndodhë hataja sociale. Drejtësi sociale më në fund. Makineria kriminale e Sigurimit të Shtetit është krijesë që ai regjim ideoi për të patronazhuar jetën e secilit. Në skedat e tyre futej çdo shqiptar. Krijesa kriminale e Sigurimit  të Shtetit, këtë kishim”, thënë Tabaku, duke shtuar: “Hapja është një proces, e çdokush ka të drejtë të shohë veten në pasqyrë. Shoqëria jonë është vend ku askush nuk është dënuar për krimet e komunizmit”, tha Tabaku.

Fjala e deputetes Jorida Tabaku për hapjen e dosjeve

Shqipëria duhet të mësojë të vërtetën dhe të pastrojë veten e saj nga dosjet

“Sido që kjo të përfundojë”, kujton Primo Levi në librin e tij me ese për një nga kriminelët në kampin e Aushvicit, “ne kemi fituar luftën kundër jush dhe askush prej jush nuk do të mbetet i gjallë për të dëshmuar, por edhe nëse ndokush do të mbetet gjallë për të dëshmuar, bota nuk do t’i besojë atij. Mbase do të ketë dyshime, debate, kërkime nga historianët por nuk do të ketë siguri, sepse ne do t’i shkatërrojmë të gjitha evidencat bashkë me ju.”

Shumëkush që ka qenë të paktën një herë në jetën e tij në ndonjë nga kampet e përqendrimit komunist apo në ndonjë nga burgjet e regjimit komunist si Spaçi e ka ndjesinë e trishtë që të kaplon sa herë i viziton ato vende ku frymët e vdekura të mijëra shqiptarëve janë varrosur, dënuar apo internuar.

Për tre dekada me radhë shoqëria jonë ka lënguar nga një katarsis i pa ndodhur.

Në marsin e vitit 1992, Shqipëria dhe shqiptarët e mbytur nga tmerri komunist, i dhanë jetës dhe vendit një liri dhe ëndërr për të ardhmen. Me trishtim duhet të them që nuk mundëm dot t’i japin vendit një mësim të së djeshmes.

Nëse sot kuptoj deri diku tragjedinë e tranzicionit në Shqipëri, nuk mund të mos e lidh me atë shkatërrim shpirtëror dhe intelektual që pësuam në 50 vite komunizëm totalitar.

Njeriu i ri socialist, një qenie që ishte i gatshëm të shiste këdo për të qenë i parapëlqyeri i partisë apo i preferuari i sistemit.

Natyrisht që për t’u përballur me të djeshmen dhe me hijet e saj do një guxim dhe besim tek e vërteta. Shqipëria, me gjithë arritjet e saj reale për të hedhur tej të paktën nga ana monetare atë sistem të korruptuar në palcë, nuk mundi dot që të prodhojë dhe të ofrojë për të gjithë ato qindra mijëra të dënuar dhe të persekutuar mundësinë që të shohin si dhe pse erdhi e gjitha.

E kam të qartë që disa këtu, që në fakt unë uroj të mos jenë shumë, do të deklarojnë se nuk duan në fakt një konflikt vëlla vrasës dhe konflikt social.

Kjo e gjitha më duket marrëzi! Në Shqipëri të gjithë drejtuesit kryesorë të regjimit komunist të përzier dhe përlyer me gjakun e shqiptarëve të dënuar padrejtësisht, kanë jetuar të qetë pa asnjë pasojë reale.

Hetues me nam dhe dhunues të pashpirt brenda burgjeve të regjimit komunist sot e kësaj dite japin intervista, i botohen recensa librash që dalin dhe best-seller dhe madje ka disa që kanë mbajtur poste publike pa iu prekur asnjë fije floku.

E kur këtyre, që zullumin dhe të keqen e kanë pasur kaq të hapur nuk i është prekur asgjë dhe nuk i ka ndodhur kurrgjë me gjithë bëmat e tyre të turpshme dhe kriminale, përse vallë po ndodh hataja sociale nga deklasifikimi i plotë i dosjeve?

Partia Demokratike, që në fakt duhet të kishte bërë siç duhet detyrën e saj kohë më parë këtë detyrë ndaj bërthamës së forcës politike që përfaqësoj, ka dorëzuar në fund të sesionit të shkuar një kërkesë për hapjen e plotë të dosjeve për të gjithë anëtarët e sigurimit të shtetit.

Makineria kriminale e Sigurimit të Shtetit është në fakt një nga ato krijesat monstruoze që ai regjim ideoi për të menaxhuar, kontrolluar dhe PATRONAZHUAR jetën e gjithsecilit. Në skedat e tyre futej çdo shqiptar nga ata që ishin bijtë e armiqve të partisë e deri tek bijtë e partisë.

Krijesa kriminale e Sigurimit të Shtetit nuk qe vetëm se një ombrellë e madhe në të cilën strehoheshin një numër i madh agjentësh që kishin për borxh të vinin si mik në shtëpi dhe të raportonin më pas gjithçka kishin parë në shtëpinë e mikpritësit.

Pikërisht ata kanë qenë dora e fshehtë e kësaj partie që ka sunduar nën një tirani kriminale Shqipërinë për 5 dekada. Një dorë dhe një sy vigjilent që u shtri thellë edhe brenda familjeve të shqiptarëve si e si për të shkatërruar jetët dhe ardhmërinë e tyre.

Me të drejtë, dikush mund të pyesë se kujt i intereson e gjithë kjo sot?

Unë personalisht jam e bindur që e gjitha kjo i intereson shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ne nuk mund të shkëputemi nga ky tranzicion dhe nga e djeshmja që ka shoqëruar ashtu e turbulluar të sotmen nëse nuk arrijmë të pastrohemi si shoqëri nga një krijesë kaq e llahtarshme sa ajo e Sigurimit të Shtetit.

Nuk mund të ketë qetësi një shoqëri që ndonëse bën sikur e ka mbyllur kapitullin e të djeshmes në fakt vazhdon ta mbajë atë ende të hapur sa si shantazh ndaj asaj që dinë vetëm disa ashtu edhe si kërcënim po të një pakice ndaj të tjerëve.

Kjo hapje është as më shumë e as më pak si një proces në të cilin çdokush ka të drejtën të shoh veten e tij në pasqyrë dhe të merret me të djeshmen e tij. Një reflektim i thellë që shoqërisë sonë i ka shërbyer dhe i duhet për të ndërtuar më mirë të nesërmen pa përsëritur gabimet e së djeshmes.

Ndërsa të rinjve e gjithë kjo u duhet si një mënyrë për të parë se si gjyshërit dhe prindërit e tyre mund të angazhohen në zbërthimin e së djeshmes. Janë mësime që një shoqëri e shëndoshë i nxjerr dhe i trajton me respektin e duhur.

Shqipëria jonë është një vend ku askush nuk është dënuar apo ndëshkuar për krimet e kryera në komunizëm. Një shoqëri që ende sot ndahet duke justifikuar horrorret e të djeshmes me postulatin amoral “ashtu ishte koha”.

Kur në fakt, kur në të vërtetë sot ne duhet të ishim së bashku të gatshëm për të dënuar dhe për të ndëshkuar këdo që valëvit lart portretin e një diktatori që nuk mund të ketë qenë i mirë kur ka dhunuar në mënyrë të strukturuar një shoqëri duke e çuar në varfërinë e tejskajshme.

Prandaj sot është një ditë ndjese më shumë se sa triumfi. Një ditë për t’i kërkuar ndjesë me kokën ulur atyre heronjve të heshtur dhe të persekutuar që kanë duruar dhe kanë besuar tek ne edhe kur PD edhe ky parlament nuk mundi të votojë më herët një ligj të tillë për hapjen e dosjeve për të gjithë.

Dhe ky i dosjeve nuk është ligji i vetëm që ne si forcë politike dhe grup parlamentar kemi sjellë në parlament. Pasi siç jemi angazhuar kemi sjellë në këtë sallë për t’u votuar dhe ligjin për dënimin e simboleve të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe padyshim ligjin për Lustracionin.

Ka ardhur koha që ne të hyjmë në tokën e premtuar duke i dhënë fund tranzicionit dhe duke u pastruar shpirtërisht përmes kujtesës, reflektimit dhe pendesës. Asnjë shoqëri nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka guximin të kujtojë, reflektojë dhe pendohet. Ka ardhur koha të dëshmojmë para fëmijëve tanë se kemi vullnetin ta çojmë këtë reflektim dhe pendim një hap më larg.

“Drejtësi sociale”, Tabaku për hapjen e dosjeve: Hetues e dhunues të pashpirt brenda burgjeve, sot japin intervista! Ka ardhur koha të…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook