Maxhoranca dhe grupi i Alibeajt kanë bashkuar votat për të miratuar disa amendamente në ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit ku bëhet e mundur hapja e të gjitha dosjeve nga viti 1944 deri në 1991.
Në të njëjtën kohë, sipas këtyre amendamenteve, kandidatët për poste të larta drejtuese duhet të kalojnë sërish në sitën e Autoritetit të Dosjeve, pavarësisht se më parë mund të kenë marrë një certifikatë pastërtie nga dy komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.
Gjatë votimit në parim 97 deputetë votuan pro dhe një abstenim, ndërkohë që gjatë votimit në tërësi 94 deputetë votuan pro.
Ndryshimet ligjore shkaktuan debate të shumta në dy javët e fundit në Komisionin e Ligjeve dhe Parlament, derisa sot shumica pranoi amendamentin e PD-së për të hapur të gjitha dosjet e ish-sigurimit.
Amendamenti i PD qe u pranua
“Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjejtjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni, Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë.”.
Votimi në parim
97 pro
1 abstenim
0 kundër
Votimi në tërësi
94 pro
1 abstenim
0 kundër