Superkupa e Anglisë, Klop: Zhgënjimin e sezonit të kaluar e harrova brenda…

Jyrgen Klop premton përpara finales së Superkupës së Anglisë kundër Mançester Sitit se ai e ka harruar zhgënjimin e sezonit të shkuar kur “Reds”-at humbën shansin për të fituar “poker” trofesh në javën e fundit, ndërsa ata do të organizohen për të mos e ndier mungesën e Sadio Manesë.

klop 1

Sezoni i Liverpulit nis sot kur ata do të përballen me kampionët e Sitit në “King Power Stadium” ora 18:00 dhe do të luajnë në këtë kompeticion për herë të parë pas 6 vitesh dhe Mane nuk do të jetë në skuadër. Sulmuesi senegalez iu bashkua Bajernit pas 6 viteve të suksesshme në “Anfield” ku ai shënoi 120 gola në 269 ndeshje.

“Sigurisht që na ka ndodhur një ndryshim i vogël në skuadër. Ne humbëm Sadionë, i cili ishte një lojtar titullar për 6 vite. Por është gjithnjë kështu. Nuk mund të qëndrojmë bashkë përgjithmonë. Ne duhet të bëjmë ndryshime dhe kur Sadio na tha se ai donte të provonte një sfidë të re, ne e pranuam atë.

Kështu që ne patëm kohë për ta përgatitur atë situatë dhe këtë bëmë. Dhe tani duhet të bashkohemi sërish. Kjo është absolutisht normale”, tha Klop në konferencën e djeshme.

Të kuqtë humbën finalen e Champions-it ndaj Realit të Madridit në maj dhe kjo erdhi një javë pasi skuadra e Klopit humbi edhe garën për titull me Sitin. Por Klop thotë se ai e harroi zhgënjimin vetëm një ditë më vonë dhe tani është 100% i përqendruar për sezonin e ri.

“Mua m’u desh një ditë kur bëmë paradën në Liverpul dhe isha OK me gjithçka”, shtoi Klop, skuadra e të cilit fitoi Kupën FA dhe Kupën e Ligës sezonin e fundit.

“Ne e dinim që ishim pranë. Kur je i pafat në momente të caktuara këto gjëra ndodhin. Është sport dhe ne duhet të pranojmë rregullat.

Një pikë më shumë pas 38 javësh mjafton dhe një gol më shumë mjafton në një ndeshje futbolli. Ne e pranojmë këtë gjithashtu. Nuk na u desh shumë për ta harruar. Cili ishte konkluzioni im për sezonin e shkuar?

Nuk mendoj se ka shumë kuptim që të mendojmë kështu. Ne luajtëm një sezon në një nivel të lartë të pabesueshëm, ishim sistematikë dhe luajtëm futboll të mirë. Jo gjithnjë, por shumë shpesh. Luftuam fort. Këto gjëra duhet t’i bëjmë përsëri”.

Arena e Lajmit


Superkupa e Anglisë, Klop: Zhgënjimin e sezonit të kaluar e harrova brenda…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook