Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim e studentët në Tiranë, për të diskutuar rreth problematikave që po hasin në këtë vit akademik.
Kreu i Partisë Demokratike, tha se kryeministri Edi Rama e ka kthyer universitetin në “mollë të ndaluar”, pasi duke rritur tarifat, familjet e kanë të pamundur të mbështesin fëmijën e dytë
“Takim ne një moment të rëndësishëm për botën akademike universitare dhe shoqërisë shqiptare në tërësi. Universitetet në histori kanë pasur dhe kanë rëndësi përcaktuese në të ardhmen e një kombi. Ato kombe që i kanë pasur të vona universitetet si ne, kanë pasur histori shumë të vështirë.
Kjo është një periudhë shumë e vështirë, sepse këto 8 vite u ndoq një politikë rrënuese. U rikthyen nga rilindja parimet atavike, të tejkaluara që nga vitet 70-80 në vendet e lira. U rikthye parimi i kufizimit, i kontrollit qeveritar i universiteteve që sot quhen administratorë, të cilët nuk veprojnë në bazë të interesave tuaj apo pedagogëve, por zbatojnë urdhrat duke rrëmbyer edhe fondet që krijon universiteti.
E njëjta gjë ndodhi edhe me bordet, u emëruan militantë, dhe morën liri akademike, ndërsa për ju u 2-3 fishuan tarifat. Tarifat që vendosi kjo qeveri, për mijëra familje e bëjnë të pamundur të mbështesë fëmijën e dytë në universitet.
Rama rriti mesataren, duke goditur të gjitha zonat e varfra të vendit, sepse gjimnazet e Tiranës kanë mesatare më të lartë se gjithë Shqipëria. I shndërroi universitete në mollë të ndaluar.
Jemi në një mes beteje, pedagogët tuaj po luftojnë. Sindikatat kanë bërë një thirrje dhe fatmirësisht ka një reagim pozitiv, por këtyre sindikatave duhet t’u bashkëngjiten fuqishëm studentët”, tha Berisha.