22 të burgosur i drejtojnë letër Kryetarit të PD Sali Berisha. Ja 11 problemet tona me ushqimin, kujdesin mjekësor dhe mungesën e ilaçeve. Kemi njoftuar Ambasadën Amerikane dhe përfaqësitë diplomatike.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e Partisë Demokratike, Jola Hysaj, në një deklaratë nga selia blu, bëri me dije se 22 të burgosur nga burgu i Elbasanit, i janë drejtuar me një letër kreut të PD Sali Berisha.
Hysaj sqaroi se në letër evidentohen 11 probleme me të cilat përballen këto të burgosur, nisur nga ushqimi, kujdesi mjekësor dhe mungesën e ilaçeve.
11 nënshkruesit e letrës kanë njoftuar zotin Berisha se për këtë problem kanë vënë në dijeni edhe Ambasadën Amerikane dhe përfaqësitë diplomatike.
Deklarata e plotë:
Një letër, shoqëruar me një listë të firmosur nga 22 të burgosur, ka ardhur nga Paraburgimi i Elbasanit në adresë të kryetarit të PD, z. Sali Berisha. Në letër bëhet me dije se ankesa i ka shkuar edhe Ambasadës Amerikane, asaj të Bashkimit Europian, dhe përfaqësive gjermane, angleze, franceze, italiane, Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit.
Në ankesë listohen 11 probleme, si më poshtë, të cilat po i lexojmë në formë autentike dhe të pandryshuar, siç janë shprehur të paraburgosurit:
1. Ushqimi është bërrnut, racionet as për bebe nuk dalin.
2. Njerëzit flenë përtokë pa dyshekë se u japin vetëm miqve dyshekë, jastëkë, etj. Hallexhinjtë le të vdesin
3. Nuk kemi kujdes mjekësor, kërkojmë për vizitë tek mjeku ose të na çojnë në spital mezi na çojnë, por në shumicën e rasteve nuk na çojnë, as nuk e çajnë kokën, në vend të qetësuesve na bëjnë ujë të distiluar.
4. Të paraburgosurve që punojnë nuk jua njohin ditët e punës, i mashtrojnë.
5. Liri veprimi nuk kemi fare, vetëm kati i tretë tek godia A ka liri dhe kati i dytë të godina B, ne jemi kati i dytë, godina A. Miqve të tyre drejtori dhe shefi i policisë ju ka lënë liri veprimi.
6. Zhurmat që na bëjnë kati i tretë janë të tmerrshme dhe ankohemi, por nuk merret asnjë masë. Burgun e kanë kthyer në privat.
7. Na hedhin ujë e plehra nga sipër.
8. Ilaçe nuk na japin.
9. Higjena është ZERO.
10. Na keqtrajtojnë.
11. Na privojnë nga takimet me familjarët.
Të paraburgosurit e Elbasanit shtojnë se, origjinalin e letrës ia kanë dërguar Ambasadës Amerikane, dhe luten të merren në konsideratë ankesa e tyre, duke theksuar se “vërtetë jemi në burg, por kemi edhe ne të drejtat tona si qenie njerëzore”.
Në ankesën e të burgosurve vihen re edhe shkelje të tjera, si për shembull fakti se Drejtori i institucionit, Arben Xhina është bashkëshortja e tij janë në konflit interesi, sepse zonja është këshilltare e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, që do të thotë, theksohet në letër, se gruaja i bie të jetë shefja e burrit të vet.
Në letër ka ankesa edhe për shefin e policisë së Burgut, Shaban Kalemin, i cili thuhet se është kriminel i kohës së Enver Hoxhës sepse në kohën e diktaturës komuniste ka qenë me punë në kufi dhe ka ekzekutuar dikë që ka dashur të “arratisej” në atë kohë.
Sipas letrës, shefi i regjimi të burgut është Vladimir Skënderi “që do vetëm lekë dhe shumica e policëve në regjimin e brendshëm janë kushërinjtë dhe miqtë e tij”.
Partia Demokratike u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të bëjnë detyrën e tyre së pari, dhe së dyti, të hetohen të gjitha rastet e abuzimeve dhe korrupsonit që vërehen në letrën e të burgosurve. Kjo letër arrin edhe në kontekstin tragjik të vrasjes së të riut Lear Kurti, dhe nënvizon faktin se në shtetin e Edi Ramës të drejtat dhe dinjiteti i qytetarit, në liri apo në paraburgim, shihen si “lëndë me zgjedhje”.
Ndërkohë, ato janë të drejta të patjetërsueshme, që njihen nga Konvenat e të drejtave dhe legjislacioni kombëtar dhe ndërkombëtar.
Shteti duhet hequr nga duart e pushtetit dhe u duhet dhënë përfaqësuesve të popullit. Ky agresion i hapur ndaj lirive dhe të drejtave është simptoma e një regjimi si ai i Edi Ramës, i cili meqë nuk ka dalë nga vullneti i votës së lirë, bën si t’i teket me të drejtat e qytetarëve.
Shqipëria në rrezik nuk është një slogan, por një realitet. Që të mos zhbëjmë Shqipërinë duhet të largojmë rrezikun.