Në Angli nuk kanë dyshime, talenti shqiptar i Kosovës, Bersant Celina do të vazhdojë karrierë te skuadra e Kasimpasha, që militon në elitën e futbollit turk.
“TWTD” ka raportuar këtë të hënë se kjo lëvizje do të mbyllet në dy ditët e ardhshme. Sipas medias nga Ipsuiçi, marrëveshja është për huazimin e Celinës nga Dizhoni, klubi që ka në pronësi kartonin e mesfushorit te Kasimpasha për një sezon, ku do të përfshihet edhe opsioni i blerjes.
25-vjeçari sezonin e fundit e kaloi si i huazuar te anglezët e Ipsuiçit. Klubi anglez thuhet se e kishte kërkuar kthimin e lojtarit në “Portman Road” për herën e tretë, në formë huazimi për të kaluar pastaj në një transferim të përhershëm, megjithatë një marrëveshje e tillë nuk u arrit.
Si përfundim, mesfushori nga Prizreni do t’i bashkohet bashkëkombësit të tij, Florent Hadërgjonajt, te Kasimpasha. Detajet tjera pritet të zbulohen në ditët e ardhshme. Celina ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024 me francezët e Dizhon. Mesfushori në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e moshave te Mançester Sitit.
Arena e Lajmit