Bajern Mynih ka bërë një merkato shumë cilësore me afrimin e emrave si De Ligt, Mane, Gravenbersh apo Mazraui. Por blerja e fundit e klubit gjerman ka çuditur shumëkënd. Bavarezët kanë bërë të ditur se skuadrës së dytë i është bashkuar 29-vjeçari Desire Segbe Azankpo.
Sulmuesi i kombëtares së Beninit ka firmosur për dy vite dhe do të luajë kështu në repartin e sulmit të ekipit të dytë të bavarezëve që shërben edhe si rezervë për skuadrën e Nagelsman. Nuk do të kishte asgjë për t’u çuditur në këtë mes po të mos bëhej fjalë për mikun e ngushtë të Sadio Mane.
Të dy janë njohur në akademinë e “Génération Foot” në Senegal dhe më pas u transferuan te Metz në Francë, ku Mane hodhi hapat e parë si futbollist profesionist në sezonin 2011-2012, bashkë me mikun e tij Azankpo. Por ky i fundit nuk kishte të njëjtën karrierë të suksesshme si senegalezi dhe ka luajtur në kampionate të vogla apo në kategoritë e ulëta, me eksperienca edhe në Luksemburg e Sllovaki, pa pasur shumë sukses.
Klubi i tij i fundit ishte Dunkerk në Francë, i cili e dha huazim në Rumani te Dinamo Bukuresht e më pas mbylli kontratën me të. Sulmuesi i Beninit ishte i papaunë, por ja ku hyri në skenë shoku i tij Mane, me të cilin ai shoqërohet e shpesh kanë ndarë bashkë një shtëpi kur kanë koinçiduar në të njëjtin qytet. Azankpo ishte personi i cili shoqëroi Mane pak ditë më parë në Marok, për të tërhequr çmimin e “Lojtarit afrikan të vitit”. Kurse “Bild” bën ët ditur se që kur Mane ka zbarkuar te Bajerni, miku i tij kryente praktikisht rolin e shoferit, duke e marrë dhe duke e çuar në stërvitje apo në grumbullimet e bavarezëve. Derisa erdhi prova për ekipin e dytë dhe firma për këtë skuadër, duke e bërë zyrtarisht përsëri homolog me mikun e ti të famshëm senegalez.
Arena e Lajmit